Gjashtë vende të BE kërkojnë shkurtimin e buxhetit të ardhshëm me qindra miliarda euro

30 Shtator 2026, 07:33Bota TEMA
Gjashtë vende të BE kërkojnë shkurtimin e buxhetit të

Gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar uljen me disa qindra miliardë euro të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, duke kundërshtuar propozimin e Komisionit Evropian për një buxhet prej gati 2 trilionë eurosh për periudhën 2028–2034, sipas “The Irish Times”.

Gjermania, Holanda, Suedia, Danimarka, Austria dhe Finlanda e kanë cilësuar propozimin aktual si jorealist, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo politike.

Sipas këtyre vendeve, buxheti i propozuar do të ishte rreth 60% më i lartë në vlerë nominale se buxheti aktual i BE-së.

Në një letër drejtuar presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, gjashtë qeveritë kërkojnë një rishikim të plotë të prioriteteve të shpenzimeve.

Ato argumentojnë se buxheti duhet të përshtatet me nevojat e reja të Evropës dhe të përqendrohet më shumë te mbrojtja dhe siguria, rritja e konkurrueshmërisë ekonomike, inovacioni dhe menaxhimi i migracionit.

Gjashtë vendet theksojnë gjithashtu, se buxheti i ardhshëm duhet të jetë në një nivel, që mund të financohet në mënyrë të qëndrueshme, pa rritur më tej huamarrjen e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian e paraqiti propozimin për buxhetin 2028–2034 në vitin 2025.

Plani parashikon një shumë prej gati 2 trilionë eurosh dhe përfshin financime për fusha si konkurrueshmëria, mbrojtja, siguria, zhvillimi rajonal, bujqësia dhe migracioni.

Kërkesa e gjashtë vendeve e vështirëson më tej negociatën për buxhetin e ardhshëm, pasi disa vende të tjera anëtare kërkojnë ruajtjen ose rritjen e fondeve për bujqësinë dhe zhvillimin e rajoneve më pak të zhvilluara.

Irlanda, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, po përgatit një propozim kompromisi për të gjetur një marrëveshje mes vendeve anëtare.

Lini një Përgjigje