LIVE UPDATES
Politike

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së/ Kostovicova: Gjykimet për krime lufte nuk janë të mjaftueshme

UÇK-ja ishte një formacion gueril që hyri në konflikt të armatosur me forcat ushtarake dhe policore serbe, pas disa vitesh të rezistencës paqësore të udhëheqësve politikë të Kosovës ndaj politikës së Beogradit në Kosovë.

30 Shtator 2026, 07:28 Nga E.d
Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së/ Kostovicova:
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjykimet për krime lufte nuk mjaftojnë që një shoqëri të përballet me të kaluarën, thotë Denisa Kostovicova, profesoreshë në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE).

Ajo i bëri këto komente duke folur për protestat në Kosovë, pas aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas shpalljes së aktgjykimit, mijëra qytetarë dolën në rrugë për t’i mbështetur të dënuarit.

UÇK-ja ishte një formacion gueril që hyri në konflikt të armatosur me forcat ushtarake dhe policore serbe, pas disa vitesh të rezistencës paqësore të udhëheqësve politikë të Kosovës ndaj politikës së Beogradit në Kosovë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ish-komandantë të UÇK-së, u dënuan për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Sipas konstatimeve të gjykatës, në mesin e viktimave kishte shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së, persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me autoritetet serbe, si dhe serbë e romë.

Krimet u kryen nga prilli i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.

Gjykata konstatoi se 96 prej personave që iu nënshtruan torturës, u vranë.

Katër të dënuarit kanë të drejtë ankese.

Në një intervistë për emisionin “Uvid” të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kostovicova flet për kufizimet e gjykimeve për krime lufte dhe ndryshimet në politikat globale, të cilat, sipas saj, e kanë dobësuar parimin se të drejtat e njeriut duhet të jenë prioritet.

Ajo, gjithashtu, krahason mbështetjen e shprehur për ish-udhëheqësit e UÇK-së me madhërimin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, gjatë funeralit të tij në Beograd.

Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovina - dallimet

Denisa Kostovicova: I vetmi dallim që shoh mes këtyre reagimeve shumë të ngjashme - për të mos thënë pothuajse identike - lidhet me mënyrën historike se si shihen konfliktet që ndodhën në ish-Jugosllavi. Edhe në studimet mbi konfliktet dhe dinamikën e tyre ekziston koncepti i konflikteve asimetrike - kur njëra palë është më e fuqishme, ndërsa tjetra më e dobët.

Këtë dinamikë e kemi parë pothuajse në të gjitha konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë. Konkretisht, në Kosovë, pala më e fuqishme ishte pala serbe, ndërsa pala shqiptare ishte më e dobët. Kjo e fundit nisi rezistencën e armatosur dhe më pas u shfaq edhe UÇK-ja.

Kjo asimetri krijon një kontekst shumë të ndërlikuar. Për shembull, kur gjykohen krimet e kryera nga pala serbe, është shumë e lehtë të manipulohet narrativi, duke pretenduar se serbët po gjykohen sepse janë stigmatizuar si “popull gjenocidal” e të ngjashme. Në të njëjtën kohë, ushqehet vazhdimisht edhe narrativi se askush nuk i njeh viktimat serbe.

Në kontekstin e këtij konflikti asimetrik, pala shqiptare ishte pala më e dobët, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por, edhe kjo mund të përdoret për manipulim: të thuhet se, meqë kjo palë ishte më e dobët, atëherë praktikisht është e pamundur që pjesëtarë të saj të kenë qenë përgjegjës për krime lufte. 

Radio Evropa e Lirë: Jo vetëm që ishte pala më e dobët. Është fakt historik se, gjatë dekadës paraprake, shqiptarët ishin përballur me diskriminim në Kosovë dhe me përjashtim nga institucionet dhe sistemi. E gjithë kjo krijoi në shoqërinë kosovare një ndjenjë të fortë të të qenët viktimë.

Denisa Kostovicova: Problemi është se të dyja palët e konsiderojnë veten viktima dhe të dyja mendojnë se u është bërë padrejtësi përmes aktgjykimeve të ndryshme. Këtu ndoshta duhet shtruar pyetja nëse gjykimet për krime lufte, të cilat padyshim janë të rëndësishme, mjaftojnë që shoqëritë të përballen me të kaluarën.

Paradoksi është se në të gjithë ish-Jugosllavinë nuk ka pasur shumë qasje të tjera. Nga përvojat e vendeve të tjera që kanë kaluar konflikte, dimë se krahas gjykimeve për krime lufte - qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, siç ishte rasti me ish-Jugosllavinë - mund të përdoren edhe mekanizma të tjerë. Një prej tyre, për shembull, janë komisionet e së vërtetës.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur disa përpjekje, por të dobëta dhe, në fund, kanë dështuar...

Denisa Kostovicova: Prandaj, përparimet më të rëndësishme janë bërë përmes një qasjeje tjetër - dokumentimit të fakteve për krimet e luftës.

Për shembull, ekziston Libri i Kujtimit i Kosovës, rezultat i punës së Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe në Serbi. Po ashtu, ekziston një libër që dokumenton viktimat e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa edhe në Kroaci është punuar për mbledhjen dhe plotësimin e fakteve.

Kjo ofron një mënyrë tjetër për ta kuptuar atë që ka ndodhur.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo është një qasje që nuk i përzgjedh viktimat sipas përkatësisë etnike. Në gjykime, para drejtësisë dalin vetëm disa prej personave përgjegjës dhe ata nuk i përfaqësojnë të gjithë ata që, potencialisht, do të duhej të mbanin përgjegjësi. Kjo është diçka tipike kur bëhet fjalë për krime masive.

Nuk është e mundur që të gjithë të mbajnë përgjegjësi penale. Prandaj, është e rëndësishme të ketë edhe mënyra të tjera për të hapur diskutimin për atë që ka ndodhur - qasje që krijojnë hapësirë për një bisedë ndryshe dhe më të gjerë për të kaluarën. 

Solidaritet mbi baza etnike

Radio Evropa e Lirë: Të kthehemi në fillim. Çfarë tregon gatishmëria e të gjitha palëve për t’i mbrojtur pjesëtarët e tyre të dënuar për krime lufte?

Denisa Kostovicova: Ne tani shohim përsëritjen e një modeli që ekziston praktikisht që nga themelimi i Tribunalit të Hagës, disa dekada më parë. Nga njëra anë, kemi mospranimin e së vërtetës për krimet e kryera nga pjesëtarë të popullit tonë dhe, nga ana tjetër, këmbënguljen se krimet janë kryer vetëm nga armiqtë tanë - ata kundër të cilëve kemi luftuar.

Shohim se ky model përsëritet me shumë pak dallime, pavarësisht kontekstit në të cilin janë zhvilluar gjykimet. Qoftë në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci apo Kosovë, modeli vazhdon të jetë pothuajse i njëjtë.

Pse ndodh kjo? A është e pashmangshme, apo është një lloj mekanizmi mbrojtës? Kjo hap një debat shumë më të gjerë. Një nga pyetjet është se pse ky model vazhdon të ekzistojë edhe 20 apo 30 vjet pas përfundimit të luftërave. Cilat dinamika dhe procese e mbajnë gjallë dhe e përforcojnë atë?

Sot është shumë e vështirë të gjendet hapësirë për narrativë alternativë - për një mënyrë të të parit të asaj që ka ndodhur gjatë luftërave, ku përgjegjësia do të përcaktohej mbi baza reale dhe do t’i pasqyronte më mirë faktet për krimet e kryera gjatë tyre.

Radio Evropa e Lirë: Siç e thatë, një gjë e tillë duket sot pothuajse si një realitet i pashmangshëm që ndikon në jetën e përditshme në secilin prej vendeve të rajonit që përmendëm. A është kjo diçka me të cilën rajoni do të duhet të jetojë dhe ta marrë parasysh edhe në procese të tjera shoqërore?

Denisa Kostovicova: Kur çështja shtrohet si diçka e paracaktuar, krijohet përshtypja se kështu duhej të ndodhte dhe se kështu do të jetë. Por, në fakt, është krejt e kundërta. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se si është krijuar ky model, si vazhdon të krijohet dhe si riprodhohet vazhdimisht.

Në këtë kuptim, një përgjegjësi të madhe e kanë elitat në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë. Megjithatë, mendoj se sot gjendemi në një situatë shumë të vështirë, sepse kemi elita që kontrollojnë mediat dhe që kanë interes t’i mbështesin dhe t’i përhapin narrativët e tillë, sipas të cilëve “ne jemi viktima më e madhe”... dhe ato fokusohen vetëm te grupi i tyre etnik. Në këtë kontekst, mund të thuhet se ekziston edhe një lidhje mes këtyre elitave dhe pjesëve të caktuara të shoqërisë.

Nuk mund të flitet më vetëm për përgjegjësinë e elitave. Ka edhe pjesë të mëdha të shoqërisë - dhe kjo është e rëndësishme të thuhet - që i kanë përvetësuar dhe i pranojnë këta narrativë.

Si rezultat, hapësira për zërat që përpiqen të nxjerrin në pah të vërtetën, është ngushtuar. Është shumë e rëndësishme të theksohet se në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë ka pasur vazhdimisht organizata të shoqërisë civile që janë angazhuar për ta trajtuar çështjen e përgjegjësisë mbi baza më reale: të shqyrtohet, natyrisht, përgjegjësia e palëve të tjera, por, para së gjithash, të merret parasysh edhe përgjegjësia e palës sonë. 

Rrugë të tjera drejt së vërtetës
Radio Evropa e Lirë: Grupet që kanë kërkuar një shqyrtim të barabartë dhe kritik të së kaluarës, në periudha të caktuara kanë arritur të bëhen pjesë e rrethit të elitave qeverisëse, por kjo nuk ka zgjatur shumë. Sot shohim se pothuajse të gjitha elitat politike në pushtet janë - në një masë më të madhe apo më të vogël - nacionaliste dhe janë pikërisht ato që do të ndikojnë në të ardhmen e rajonit. Si mund të ketë përparim në përballjen me barrën e së kaluarës, kur dialogu zhvillohet mes njerëzve që mbajnë qëndrime po aq përjashtuese?

Denisa Kostovicova: Nëse ka vullnet, gjithmonë mund të krijohet hapësirë. Por, pajtohem se është shumë e vështirë t’ua zbehësh fuqinë këtyre narrativëve, sidomos kur përhapen dhe mbështeten nga elitat politike, madje edhe përmes dhunës.

E dimë se çfarë presionesh ushtrohen ndaj shoqërisë civile të lirë dhe liberale, si dhe ndaj grupeve qytetare. Por, është po aq e rëndësishme të kuptohet se këto elita i përdorin dhe i instrumentalizojnë narrativët nacionalistë. Ata u shërbejnë për ta zhvendosur vëmendjen dhe për të mbuluar problemet dhe dështimet në qeverisjen e shteteve.

Pra, mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni dhe të gjitha problemet që lidhen me ta. Situata është komplekse dhe, nëse do të më pyesnit se si mund të niste ky diskutim, ndoshta kemi arritur në një pikë ku i kemi parë kufijtë e shoqërisë civile, zëri i së cilës është shtypur.

Ndoshta një hapësirë tjetër politike mund të hapej në mënyrë të tërthortë, duke e nisur diskutimin nga probleme të tjera - korrupsioni, keqqeverisja, problemet në funksionimin e institucioneve dhe në menaxhimin e shtetit.

Diçka të tillë e kemi parë gjatë protestave studentore në Serbi, por edhe në rrethana të tjera. Ato kanë treguar se ka momente kur bëhet e qartë se një qasje ndryshe ndaj së kaluarës, është e mundur. 

Radio Evropa e Lirë: Pra, të jesh kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, por, njëkohësisht, të mos e vësh në pikëpyetje përgjegjësinë konkrete për krimet e luftës...

Denisa Kostovicova: Ndoshta ky mund të jetë një skenar. Por, nëse një ndryshim i vërtetë i regjimit do të sillte edhe media më të lira, debat më të lirë dhe fundin e demonizimit të grupeve të caktuara në shoqëri, atëherë ndoshta do ta ndryshonte vërtet mënyrën se si flitet për këto çështje.

A kanë pak peshë faktet?

Radio Evropa e Lirë: Faktet mund të mblidhen, siç kanë bërë burimet që përmendët, dhe mund të flitet për to, por bindjet e rrënjosura në shoqëri praktikisht nuk ndryshojnë. Një rrethanë që e vështirëson situatën sot, është se forma të ndryshme të rishikimit të historisë së shekullit XX janë bërë pjesë e politikës kryesore në shumë vende të Evropës. Sa e pengon kjo procesin e përballjes me të kaluarën?

Denisa Kostovicova: Po. Nga njëra anë, kemi riinterpretime jokritike të së kaluarës. Por, nga ana tjetër, kemi edhe lëvizje dhe iniciativa shumë interesante dhe të rëndësishme, përfshirë nisma institucionale dhe të shoqërisë civile, që e shqyrtojnë në mënyrë kritike të kaluarën koloniale dhe ngrenë çështje të përgjegjësisë, reparacioneve të mundshme dhe edukimit.

Për shembull, këtu në Britani të Madhe ka pasur protesta të mëdha të të rinjve që kanë kërkuar heqjen e monumenteve të caktuara që simbolizojnë Perandorinë britanike dhe që lidhen me historinë e skllavërisë, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe çështje të ngjashme. 

Radio Evropa e Lirë: Këto janë iniciativa mjaft kontroverse.

Denisa Kostovicova: Po, por dua të them se rishikimi kritik i së kaluarës nuk zhvillohet vetëm në një drejtim. Kemi një tablo shumë komplekse.

Sa i përket klimës ndërkombëtare që përmendët, në një aspekt keni plotësisht të drejtë. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë ekzistonte ideja e një norme globale: se nuk mund të ketë paqe pa përgjegjësi për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës.

Kjo normë nuk ishte e përsosur, sidomos në zbatimin praktik, por ky ishte synimi. Pra, pas përfundimit të luftërave, ata që kishin kryer krime lufte, duhej të jepnin llogari për to.

Tani, mes tronditjeve globale, ky konsensus liberal ndërkombëtar është çarë. Kjo shihet qartë, për shembull, nga sulmet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Pyetja tani është se kush do ta mbrojë normën globale sipas së cilës duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës, dhe se drejtësia nuk duhet të bëjë dallime mbi baza etnike, racore apo çfarëdo përkatësie tjetër. Parimi fillestar ishte që të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Në të kaluarën kemi pasur marrëveshje paqeje, në të cilat çështjet e përgjegjësisë dhe të drejtësisë tranzicionale bëheshin pjesë e vetë marrëveshjeve.

Tani po shohim se marrëveshjet e paqes janë bërë të rralla dhe se, në vend të tyre, kemi armëpushime. Nuk dua të hyj shumë në zhvillimet dhe rreshtimet e mëdha gjeopolitike që po ndodhin në nivel global. Por, nëse përqendrohemi vetëm te mënyra se si i jemi qasur drejtësisë tranzicionale, më parë ekzistonte një përgjigje relativisht e qartë. Tani po shohim se edhe ky konsensus është çarë.

Nuk kam një përgjigje konkrete se në cilin drejtim do të shkojë kjo. A do të krijohet në nivel global një lloj “konsensusi autoritar”, siç e quajnë disa kolegë - ku, përmes marrëveshjeve të bazuara në parime autoritare dhe jodemokratike, disa çështje thjesht do të mbyllen dhe do të lihen mënjanë?

Apo do të mbeten hapësira të caktuara - institucionale apo gjeografike në Evropë ose brenda disa institucioneve ndërkombëtare - që do të vazhdojnë t’i mbrojnë këto norma?

Kjo mbetet një pyetje e madhe./REL

uÇk kosovë denisa kostovicova

Sondazh

Poll

Zjarr në Gjirokastër, flakët u drejtohen banesave dhe magazinave

Zjarr në Gjirokastër, flakët u drejtohen banesave dhe magazinave

"Ju erdhi fundi"/ Vijon marshimi i protestuesve nëpër Tiranë: Rama jep dorëheqjen

Mbyllen fjalimet te Kryeministria, nis marshimi në rrugët e Tiranës

122 ditë protestë/ Aktivisti Ilir Xhemalaj: Studentët të bashkohen, të rrëzojmë këtë regjim

Aktivisti Arben Kola thirrje studentëve: Bashkohuni në shesh, merrni udhëheqjen e vendit

Aktivistja lexon kërkesat: Kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura

Berisha takon përfaqësuesit e lartë të Kosovës në Strasburg: Rama po bën spastrim etnik në Shqipëri

“Pa rini nuk ka Shqipëri”/ Nis marshimi drejt Kryeministrisë: Rama jepe dorëheqjen!

Bie zjarr në kodrat me ullishte në Gorishovë, flakët favorizohen nga era e fortë

Rama nga Brukseli: Qeveria reflektim përmes 'Pasqyrë Albania'

Rama në Samitin e Euronews 2026: Shqipëria një nga vendet më të sigurta në Evropë

Rama: Diskutimet kanë nisur kur nuk ishte e qartë nëse Trump do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë

Rama: Dua Lipës i pëlqen protesta, mua më pëlqen shumë Dua! Ajo është këngëtare...

Rama në Samitin e Euronews: Në Zvërnec investimi më i madh turistik në Evropë

Rama nga Brukseli: Shqipëria vendi me normën më të ulët të vjedhjeve, jemi perla e vogël e Europës

"Shqipëria, 12 mln turistë"/ Rama tallet me protestuesit: Do të kemi aeroport edhe për flamingot

Arresti i Vlora Hysenit, Balla: Korrupsion ka edhe në Gjermani, PS nuk është avokat i askujt

Pamjet e RËNDA nga Saranda/ Qytetari merr flakë nga shpërthimi në karburant

Shpërthim i fortë në një pikë karburanti në Sarandë, dy të plagosur

“Sterilizimi"/ Ilir Beqaj paraqitet në GJKKO i shoqëruar nga oficeri i policisë

Emiriona Sako: Kompetencat e centralizuara të rishikohen dhe të kthehen te bashkia

Debate te "Ligjet"/ Korreshi: Ky po tall by***n, po e bëni për të grumbulluar votat e PS

Me flakadanë në duar, protestuesit marshojnë nëpër rrugët e Tiranës, thirrje njëzëri kundër qeverisë

Dita e 121-të e protestës, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

Zjarr pranë banesave në Gjirokastër, zjarrfikësit ndërhyjnë për shuarjen e flakëve

Vatër zjarri në Kreshpan të Fierit, kërkohet ndërhyrja nga ajri

Makina digjet plotësisht në qendër të Elbasanit, qytetarët të panikosur

Protesta në Maliq kundër investimit të Ujësjellësit/ Përplasje mes efektivëve dhe qytetarëve

Tentuan të mashtronin Armand Dukën në emër të Taulant Ballës, në pranga sekserët e Florian Gjergjit

Debati ironik në Komision, Korreshi: Të ndryshohet rendi i ditës i nderuar kryetar

Mashtruan një të moshuar në emër të Armand Dukës, në pranga 2 sekserët e Florian Gjergjit...

Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian mesazh të qartë: Shqipëria të ketë institucione demokratike

Schieder tregon detyrat: Kapitujt duhen mbyllur, reformat të jenë pjesë e shoqërisë

Rama ndërpret fjalën e raportuesit për Shqipërinë në PE: Aman, s’i lë dot gjermanët të presin

Rama: Europa ka shtatë kandidatë, mos na lini në baltë

Rama: Shpresojmë që BE të mos e lërë sërish në baltë Ballkanin Perëndimor

Konferenca Ndërparlamentare/ Rama sulmon protestuesit: Flamingot nuk duken aq bukur sa në foto

Rama batuta në mbledhjen e konferencës ndërparlamentare: S'kam besim te përkthyesi

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryeministri Rama mbërrin në Pallatin e Brigadave

Zjarr në Gjirokastër/ Merr flakë makina, digjet edhe një kasolle

Mbyllen fjalimet te Kryeministria, nis marshimi i protestuesve në rrugët e Tiranës

Tragjedi në Fier/ Banesa përfshihet nga flakët, humb jetën 70-vjeçari i paralizuar

Protestuesi për kryeministrin Rama: Nuk e 'tredh' dot sheshin, ne e kemi vrarë frikën

Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Kjo protestë ka qenë një shuplakë për trazicionin politik

Vatër zjarri në Ndërnenas/ Digjen parcelat me ullinj, rrezikohen stallat e bagëtive

Aktivisti për kryeministrin Rama: Mediat botërore pasqyrojnë skandalin me SHISH, bota i hoqi fishën

Pas grumbullimit në sheshin Skënderbej, nis marshimi drejt Kryeministrisë: Poshtë narkoshteti

Rama: S’ka një provë të vetme që një bir nëne të ketë një qindarkë të tijen në xhepin tim

Qytetarët kërkojnë dorëheqjen, Rama: Asgjë nuk do të më ndalë

Reforma në Drejtësi/ Rama: Pa mua, SHBA-ja dhe BE-ja do kishin bërë Noc Rrokun