Katër persona u arrestuan pasi dyshohet se mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian, përmes call center-ave të rremë në Tiranë.
Pronari i ambientit ku ushtrohej ky aktivitet i paligjshëm në Rrugën e Kavajës, u shpall në kërkim. Sipas policisë, Taulant Beleraj 45 vjeç, kishte dijeni për atë që ndodhte.
Një punëtore 23-vjeçare, po hetohet në gjendje të lirë.
Të arrestuarit u kapën në flagrancë duke punuar. Ata janë Emirjon Xhafa 40 vjeç, Genci Ndoni 42 vjeç, Ekzon Dervishi 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka 31 vjeç.
Burime nga grupi hetimor thanë se këta persona nuk ndaleshin vetëm me mashtrimin me investime në bursa fiktive. Të njëjtët qytetarë europianë të mashtruar, i telefonin sërish, por i prezantoheshin si avokatë. Edhe me ketë skemë i kanë marrë nga 5 deri në 10 mijë euro.
Brenda call center janë gjetur edhe blloqe me emrat e klientëve të mashtruar.
Policia sekuestroi 13 njësi kompjuterike, 19 celularë e 7 laptopë që mund t’i shërbejnë hetimeve për të rënë në gjurmët personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet mashtrimi.
Më 10 shtator, SPAK goditi sërish ‘Bluenergycall’, një grup mashtrimi me ‘call center’, nën hetim prej 2021 për të cilin ekzekutoi 8 masa sigurie nga 11 të lëshuara. ‘Call center’-i në Rrugën e Kavajës në pronësi të Redian Kukës, mashtronte qytetarë gjermanë dhe vendeve të tjera europiane përmes investimeve në bursa fiktive apo investime në metale me vlerë dhe diamante.
Edhe në prill, u goditën 3 ‘call center’ mashtrues që ushtronin aktivitetin kriminal në 12 zyra. Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 900 mijë euro cash dhe në pranga ranë 10 persona.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento