
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nis sot turin ballkanik me vizitën zyrtare në Shqipëri ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Zyrtarja e lartë do të mbërrijë në kryeministri në orën 16:30, ndërsa rreth orës 17:30 ajo dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët ku do të jepen detaje nga diskutimet për çështjet kryesore të vizitës.
Pritet që gjatë këtij turi ballkanik, Von der Leyen të prezantojë planin për anëtarësimin e 4 shteteve kandidate që përmban disa kufizime për anëtarët e rinj të Bashkimit Europian. Pas Shqipërisë ajo do të vijojë me vizitat në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Ndërsa do të shmangë Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën për shkak se aty do të mbahen zgjedhje së shpejti. Versus.al

