Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor në datat 30 shtator – 2 tetor, ku do të diskutojë partneritetin në rrugën e anëtarësimit të vendeve tona në BE dhe integrimin gradual të tyre.
Ky tur do të nisë pikërisht sot, nga Tirana, e cila është vënë në krye të agjendës së presidentes së KE-së.
Ursula von der Leyen do të takohet së pari me kryeministrin Edi Rama, në orën 16:30, ndërsa pas takimit, në orën 17:30, ajo dhe Edi Rama do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të bëhen publike detaje nga diskutimet dhe çështjet kryesore të vizitës.
16:30–Mbërritja në Kryeministri e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
17:30–18:00 – Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Gjatë vizitës së saj treditore, Von der Leyen do të vizitojë Tiranën, Prishtinën, Podgoricën dhe Shkupin, ku do të takohet me krerët e shteteve dhe qeverive dhe do të vizitojë projekte të financuara nga Bashkimi Evropian.
Gjithashtu, presidentja e Komisionit Evropian do të përqendrohet në hapat e mëtejshëm të partnerëve në rrugën drejt BE-së dhe në progresin brenda integrimit gradual të mbështetur nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Bëhet e ditur se Ursula von der Leyen do të vizitojë Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë në një periudhë të mëvonshme, për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe të përgjithshme që priten të mbahen në këto vende.
