Futbolli shkodran ka humbur një prej figurave të tij të njohura. Ismet Hoxha është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një infarkti. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe transportimit në spital, ai nuk arriti t’u mbijetojë problemeve shëndetësore.
I lindur në Shkodër më 23 mars 1948, Hoxha e nisi rrugëtimin në futboll te ekipet e moshave të Vllaznisë, përpara se të kalonte te Partizani. Me skuadrën kryeqytetase ai fitoi Kupën e Republikës në vitin 1968, ndërsa e mbylli atë edicion si golashënuesi më i mirë i kompeticionit me 7 gola.
Dy vite më vonë, ai u rikthye në Shkodër dhe veshi sërish fanellën kuqeblu. Me Vllazninë luajti deri në vitin 1977, periudhë gjatë së cilës fitoi dy tituj kampionë dhe një Kupë Republike, duke qenë një prej sulmuesve më produktivë të kampionatit.
Hoxha ishte gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare, ku regjistroi tri paraqitje. Për disa vite mbajti edhe shiritin e kapitenit të ekipit Shpresa, me të cilin Shqipëria u shpall dy herë nënkampione e Ballkanit.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai nuk u nda nga Vllaznia. Hoxha vijoi punën si trajner i ekipeve të moshave dhe në vitin 2000 udhëhoqi ekipin e të rinjve të klubit drejt titullit kampion. Gjatë viteve të punës me të rinjtë, ai kontribuoi në formimin e shumë futbollistëve që më pas u aktivizuan me Vllazninë dhe Kombëtaren shqiptare.
Përveç rolit si futbollist dhe trajner, Hoxha shërbeu edhe në detyra drejtuese pranë klubit shkodran. Kontributi i tij në futboll u vlerësua në vitin 2022, kur Presidenti i Republikës e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Me ndarjen e tij nga jeta, Vllaznia dhe futbolli shkodran humbin një emër që për dekada ishte pjesë e historisë së klubit, në fushë, në pankinë dhe në drejtim.
Lini një Përgjigje