Dy shtetas shqiptarë, të dy 32 vjeç, janë dënuar me nga 2 vite e 3 muaj burg nga një gjykatë në Gjermani, pasi pranuan se kishin punuar si kopshtarë në një plantacion ilegal kanabisi në Künzell.
Policia zbuloi plantacionin pas ankesave të banorëve për erën e kanabisit. Gjatë kontrollit u gjetën 703 bimë kanabisi dhe pajisje profesionale për kultivim.
Të dy të pandehurit deklaruan përmes avokatëve se kishin pranuar punën për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike. Njëri prej tyre, ekonomist, tha se i ishte premtuar një pagë prej 1.500 eurosh në muaj, ndërsa tjetri, mekanik dhe baba i tre fëmijëve, kishte borxhe prej rreth 10 mijë eurosh.
Ata pretenduan se nuk kishin marrë pagat e premtuara dhe se nuk ishin organizatorët e aktivitetit. Avokatët kërkuan dënime me kusht, duke argumentuar se klientët e tyre ishin vetëm “hallkat e fundit” të një rrjeti më të madh.
Gjykata pranoi se të dy kishin vepruar për shkak të vështirësive ekonomike, por theksoi se kjo nuk i përjashton nga përgjegjësia penale. Sipas gjykatës, pas plantacionit qëndronin persona të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar.













