AKTUALITET /

Makinë 16 mln lekë e blerë për kryetaren dhe 6 shoferë pa makina, çohen për gjykim 8 zyrtarët e "FAF sh.a"

Shkruar nga Versus

Makinë 16 mln lekë e blerë për kryetaren dhe 6 shoferë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 zyrtarë të Këshillit Mbikëqyrës të FAF sh.a (Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit).

Konkretisht administrator, kryetarja dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M..L., O.D. dhe E.Xh akuzohen për shpërdorim detyre.

Hetimet e kryera më herët nga SPAK gjetën një sërë shkeljesh të cilat ishin evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhur me blerjen e një automjeti dhe punësimet e disa personave.

Veprimet e kryera për blerje automjeti janë realizuar pa miratimin e ministrit të Financave të asaj kohe. Mjeti rezultoi se ishte në pronësi të kryetares së këshillit, I.M e cila kishte qenë më parë ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë.

Automjeti i blerë me vendim asambleje në vlerën prej 1.600 000 lekësh, nuk mund të përmbushte nevojat për 30 degët në 30 rrethe të Shqipërisë. Supozohej që të ishin blerë 6 mjete. Po kështu edhe caktimi i një vendi shtesë pune për shofer për mjetin e sapoblerë, ndërkohë që ishin 6 shoferë pa mjete që merrnin rrogat, ishte i tepërt dhe në kundërshtim me ligjin.

FAF sh.a me pronësi 100% shtetërore, operon si një Subjekt Financiar Jo-Bankë (institucion mikrofinance publik) i licencuar nga Banka e Shqipërisë. Misioni i këtij institucioni supozohet të jetë mbështetja me kredi e zonave rurale, bujqësisë dhe sipërmarrjeve të vogla që kanë vështirësi të marrin financim nga bankat private. Versus.al

Poll