Ambasadori i ri i SHBA, Eric Wendt takim me kryeministrin Rama

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka zhvilluar takimin e parë me kryeministrin Edi Rama, pak ditë pasi paraqiti letrat kredenciale te Presidenti Bajram Begaj.
Takimi u zhvillua në kuadër të nisjes së detyrës së diplomatit amerikan në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama e shoqëroi takimin me mesazhin: “WELCOME 🇦🇱🦅🇺🇸”, duke e cilësuar atë si “Takimi i mirëseardhjes së Ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt”.
Eric Wendt është një ushtarak në pension, i cili ka shërbyer për rreth 34 vite në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe të karrierës në Forcat Speciale.
Gjatë fjalës së tij në Senatin amerikan, përpara konfirmimit në detyrën e ambasadorit, Wendt renditi disa nga prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri. Mes tyre janë mbështetja e vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar, forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, promovimi i diplomacisë ekonomike dhe mbrojtja e interesave amerikane në Shqipëri.
/vizionplus.tv




