Celebrities Showbiz

Sylvester Stallone rrëfen momentin më të rëndë të jetës, ndarjen nga jeta të djalit të tij!

Sylvester Stallone ka rikthyer në kujtesë një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij: humbjen e djalit, Sage Stallone, në vitin 2012. Në një intervistë për “The New York Times”, aktori tregoi për herë të parë me detaje se si e përjetoi lajmin tragjik dhe çfarë ndodhi me të në ditët që pasuan. Sage, djali i Stallone dhe ish-bashkëshortes së tij Sasha Czack, u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare pasi pësoi një atak në zemër. Aktori kujtoi telefonatën përmes së cilës mësoi se i biri kishte vdekur, duke e përshkruar atë si një moment të ftohtë dhe të papritur.

“Burri i ri i nënës sime, të cilin nuk e kisha takuar kurrë dhe që ishte mjek, më telefonoi dhe më tha: ‘Sly, ai iku. Sage iku’. Unë i thashë: ‘Iku ku?’. ‘Vdiq. Iku. Më vjen keq’. Dhe e mbylli telefonin”, rrëfeu ai. Në ditët e para, Stallone u përpoq të qëndronte i fortë. U mor me funeralin, me familjarët dhe me gjithçka që duhej organizuar pas tragjedisë. Por, sipas tij, dhimbja e vërtetë erdhi pak më vonë.

Aktori shpjegoi se pas një humbjeje të tillë mendja të çon vazhdimisht drejt pyetjeve dhe fajit: çfarë mund të kishe bërë ndryshe, nëse duhej të kishe qenë aty apo nëse një veprim i vogël mund ta kishte ndryshuar gjithçka. “Kaloni nëpër shumë faza faji. Mendon: Çfarë mund të kisha bërë? A duhej të isha aty? Po sikur të kisha bërë këtë? Po sikur të kisha marrë rrugën djathtas në vend të majtas?”, tha Stallone.

Ai tregoi se, rreth një javë pas funeralit, ndërsa ishte vetëm në dhomën e tij, përjetoi një shpërthim emocional që nuk e kishte provuar kurrë më parë. “Po përpiqesh të vazhdosh jetën dhe mendon: ‘Uau, po ia dal. Kur do të shpërthej?’. Dhe rreth një javë më vonë, isha krejt vetëm në dhomën time dhe nga brenda meje doli një britmë që nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë, as para dhe as pas asaj dite”, kujtoi ai.

Stallone e përshkroi atë moment si një përzierje të jashtëzakonshme dhimbjeje, pikëllimi dhe faji. Duke folur për të birin, aktori e përshkroi Sage me fjalë të ngrohta dhe tha se ai ishte një djalë me potencial të madh. “Ai ishte një djalë shumë i mirë. Mund të kishte bërë gjëra të mëdha në të ardhmen”, u shpreh Stallone, duke shtuar se disa humbje nuk janë diçka që mund të kapërcehen plotësisht. Sage Stallone u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Los Angeles më 13 korrik 2012. Babë e bir kishin ndarë edhe ekranin. Sage luajti Rocky Balboa Jr., djalin e Rocky-t, në filmin “Rocky V”, ku personazhin kryesor e interpretonte vetë Sylvester Stallone.