Dy ditë pas publikimit të pamjeve shqetësuese nga rezervuari i Kasharajt në Lushnjë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka zbritur në terren për të parë nga afër situatën vendin ku tonelata me peshk kanë ngordhur si pasojë e tharjes së ujit.
Nufi tha se po punohet për largimin e rrjetës së madhe të peshkimit e cila kishte bllokuar hyrjen shkarkuese të rezervuarit. Ndërsa shtoi se situata do të normalizohet brenda ditës së sotme.
“Është zbarzur rezervuari dhe peshqit kanë dalë në sipërfaqe. Po punohet me ushtrinë dhe punonjësit e bashkisë për të liruar kanalin dhe të futen mjetet për pastrimin e të gjithë pjesës së rezervuarit dhe peshkut. Brenda ditës së sotme, maksimumi deri nesër situata do të jetë normalizuar”, tha Nufi.
Shkarkimi i ujit te rezervuarit ka nisur për shkak të një investimi që do të bëhej nga bashkia në përforcimin e shkarkuesit të ujit pasi në vitin 2024 komiteti i digave kishte përcaktuar si rrezik çarjeje këtë digë. Firma Fled Shpk e cila do të kryente punimet ka nisur shkarkimin 6 muaj më parë. Ajo që nuk dihej ishte sasia e peshkut që ishte në rezervuar dhe vendndodhja e rrjetës
Vlera e projektit është 330 milion lekë të vjetra për 120 ditë të rehabilitimit të shkarkuesit të rezervuarit. Ndërkohë policia ka nisur një hetim për gjetjen e fajtorëve të situatës së krijuar. Versus.al

