Bota e futbollit anglez është përballur me një lajm të trishtë pas ndarjes nga jeta të Courtney Meppen-Walter, ish-mbrojtësit të akademisë së Manchester City dhe ish-kapitenit të përfaqësueses angleze U-18. Meppen-Walter ishte vetëm 32 vjeç. Lajmi u bë i ditur nga Bury FC, një prej klubeve ku ai kishte luajtur, përmes një deklarate në rrjetet sociale. “Jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë Courtney Meppen-Walter, në moshën 32-vjeçare. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen dhe miqtë e tij në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë”, shkroi klubi.
I formuar në akademinë e Manchester City, Meppen-Walter shihej si një prej lojtarëve premtues të brezit të tij. Ai veshi edhe fanellën e Anglisë në grupmoshat e reja dhe mbajti shiritin e kapitenit të ekipit U-18. Pas largimit nga akademia e City-t, mbrojtësi ndërtoi një karrierë në disa skuadra të futbollit anglez. Ai luajti për Carlisle United, Stockport County, Chorley, Telford United, Nantwich Town, Bury dhe Guiseley, ku qëndroi nga viti 2022 deri në 2024.
Gjatë periudhës së tij te Guiseley, ai u vlerësua edhe me çmimin “Lojtari i sezonit i zgjedhur nga trajneri” për sezonin 2022/23. Pas lajmit të hidhur, homazhet dhe mesazhet e ngushëllimit kanë ardhur edhe nga klubet e tjera ku Meppen-Walter kishte luajtur Shkaku i vdekjes së 32-vjeçarit nuk është bërë ende publik dhe as rrethanat e ndarjes së tij nga jeta nuk janë sqaruar. Emri i Meppen-Walter ishte shfaqur edhe më herët në kronikat e mediave britanike. Në vitin 2013, ai u dënua me 16 muaj burg pasi u shpall fajtor për shkaktimin e vdekjes së Kulwant Singh dhe Ravel Kaur në një aksident rrugor të ndodhur një vit më parë. Gjashtë vite më vonë, në vitin 2019, ai u përball sërish me drejtësinë për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Gjykata e ndaloi të drejtonte automjetin për 22 muaj dhe i dha një dënim komunitar 12-mujor, së bashku me 80 orë punë të papaguar.