Projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Gogu: Drejtësi e fortë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve

TIRANË – Ministria e Drejtësisë ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, me fokus te forcimi i garancive për qytetarët, përdorimi i masave të sigurimit dhe mbrojtja e të drejtave të personave që përballen me drejtësinë.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u ndal fillimisht te situata në paraburgime. Sipas tij, aktualisht 2353 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa një pjesë e tyre janë ende në pritje të një vendimi përfundimtar.
“Ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen, arsyetimin dhe alternativat në funksionimin e sistemit”, deklaroi Gogu.
Sipas ministrit, ndryshimet synojnë t’i japin gjykatës kritere më të qarta për të zgjedhur, në çdo rast, masën e nevojshme dhe proporcionale.
Një tjetër pikë e projektndryshimeve lidhet me rolin e prokurorit dhe provat gjatë hetimit. Prokurori do të ketë detyrimin të dokumentojë dhe të vërë në dispozicion edhe provat që janë në favor të të pandehurit.
“Hetimi do të ketë një fillim formal sipas propozimeve. Kush thirret si dëshmitar, ndërkohë që trajtohet si i dyshuar, duhet ta gëzojë mbrojtjen që i takon të dyshuarit”, tha ministri.
Projektndryshimet prekin edhe aksesin në të dhënat personale përmes pajisjeve elektronike. Sipas Gogut, sekuestrimi i një telefoni nuk do të nënkuptojë automatikisht qasje të pakufizuar në të gjitha të dhënat e tij.
“Sekuestrimi i një telefoni personal nuk do t’i japë më të drejtën për qasje të pakufizuar në të dhënat vetjake, por vetëm në pjesën që miraton gjykata”, u shpreh ai.
Reforma parashikon gjithashtu masa për mbrojtjen e viktimave, veçanërisht në rastet e dhunës në familje. Sipas ministrit, gjykatës duhet t’i jepet mundësia të largojë nga banesa personin e dyshuar për dhunë.
Një ndryshim tjetër lidhet me garancinë pasurore, e cila sipas propozimit do të përcaktohet në varësi të gjendjes financiare të personit.
“Liria të mos mbetet privilegj i atij që paguan dhe kur ka rrezik për provat, liria nuk do të blihet me para”, deklaroi Gogu.
Ministri theksoi se ndryshimi i ligjit nuk mjafton nëse ai nuk shoqërohet me zbatim në praktikë. Në këtë kuadër, ai tha se aktualisht nuk ka persona nën mbikëqyrje elektronike, pavarësisht se kjo mundësi parashikohet nga ligji.
“Qeveria ka ndarë fondet për zbatimin e monitorimit elektronik dhe angazhohemi ta vëmë në zbatim brenda pranverës së vitit të ardhshëm”, tha Gogu.
Në përfundim, ministri njoftoi se do t’u propozohet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë hartimi i përbashkët i një strategjie për paraburgimin, me objektiva që lidhen me cilësinë e arsyetimit të vendimeve, shqyrtimin në kohë, funksionimin e alternativave dhe transparencën e të dhënave.




