Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit në fshatin Fllakë të Durrësit. Sipas të dhënave paraprake, lënda plasëse ishte vendosur në derën e një lokali, i cili në momentin e shpërthimit ka qenë i mbyllur. Fatmirësisht, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Lokali ishte në përdorim nga Ramazan dhe Erjon Balla, babë e bir. Ata nga verifikimet e para nuk rezultojnë persona me precedentë penalë. Ata kanë deklaruar paraprakisht para policisë se nuk kanë konflikte me asnjë person dhe as ndonjë emër për të dhënë si autor të dyshuar. Grupi hetimor mblodhi provat në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.