Në prezantimin e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të 10 viteve të reformës në drejtësi, duke deklaruar se ajo ka sjellë rezultate që më parë as imagjinoheshin. Sipas tij me reformën në drejtësi u shemb kulti 100-vjeçar i pandëshkueshmërisë. Rama tha se gjatë kësaj dekade janë shfaqur edhe dështime dhe deformime, të cilat siç tha nuk mund të fshihen pas rezultateve të reformës.

“Tamam 10 vjet më parë, në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë ktheu në akt aspiratën më të guximshme të programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Ndryshuam Kushtetutën dhe ligjëruam çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik, pas një varësie kronike që kishte zgjatur qysh nga dita e themelimit të shtetit shqiptar, në vitin 1912. Reforma në drejtësi shembi ngrehinën e vjetër të pushtetit gjyqësor dhe ngriti një arkitekturë krejt të re. Ajo krijoi institucione të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit, një superstrukturë të posaçme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një sistem pagash më të larta se maja e piramidës shtetërore dhe një proces unik vetingu si themel të rrugës së re të drejtësisë shqiptare. Sot, pas 10 vjetësh, kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por edhe dobësitë që dolën nga përballja me realitetin. Kemi parë rezultate që dikur dukeshin jo të pamundura, por as nuk imagjinoheshin dot, por kemi parë edhe dështime dhe deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve. Megjithatë, përtej çdo vështirësie dhe peripecie, barra e kthesës së madhe përmes reformës në drejtësi ia ka vlejtur të gjithë qiranë, kur i thonë fjalës. Një fjali përmbledh të gjitha të mirat e kësaj reforme, sa brutale, aq edhe dobiprurëse: 10 vjet shembën kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: 62% e të burgosurve janë në paraburgim, mbi dyfishin e mesatares europiane! Reforma për dinjitet kombëtar, s’pranojmë të krahasohemi me Rusinë (VIDEO)