AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Në gjurmët e kontrabandës së cigareve në kufirin Bosnjë-Mal i Zi

BIRN rindërton mënyrën se si kontrabandistët shfrytëzojnë njohuritë e tyre të detajuara për rrugët malore dhe monitorimin e lëvizjeve të policisë për të transportuar cigare kontrabandë nga Mali i Zi drejt Bosnjës dhe më tej.

Azem KurticngaAzem Kurtic
16 seconds më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
cover v1 1
Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic.

Policia beson se ishte nga një shtëpi në zonat malore të Bosnjës e Hercegovinës ku Nebojsa Miletic vëzhgonte lëvizjet e policisë kufitare boshnjake – kur patrullonin, rrugët që ndiqnin dhe, mbi të gjitha, ndërrimet e turneve që e linin kufirin për pak çaste të pambrojtur.

Terreni i vështirë, i përshkuar nga rrugë rurale, është ideal për këdo që dëshiron të kalojë kufirin pa u diktuar. 43-vjeçari Miletic, nga fshati Lipnik, dhe shoku i tij 33-vjeçar, Mladen Zirojevic, nga fshati fqinj Avtovac, i njihnin rrugët në detaje dhe policia beson se ata e shfrytëzuan këtë njohuri për përfitime.

Sipas dosjeve të çështjes të siguruara nga BIRN, policia në entitetin e Republikës Srpska, me shumicë serbe, dhe policia kufitare besojnë se dy burrat ngritën një rrjet fitimprurës kontrabande cigaresh, duke transportuar mallra kontrabandë nga Mali i Zi në territorin e komunës Gacko, në Republikën Srpska.

“Ne u përpoqëm të bashkëpunonim me policinë kufitare duke iu bashkuar patrullave të tyre. Por ata gjithmonë i vëzhgonin automjetet tona në parkingun e stacionit të policisë”, tha një burim policor për BIRN, në kushte anonimiteti. “E kontrollonin çdo natë dhe dihet – ose është karburant, ose cigare.”

Dyshohet se ata bashkëpunonin me vëllezërit Predrag dhe Marko Cicmil nga ana tjetër e kufirit, në Pluzine. Vëllezërit Cicmil janë mes nëntë personave, përfshirë katër oficerë policie, që aktualisht po gjykohen në Gjykatën e Lartë në Podgoricë, të akuzuar për kontrabandë cigaresh gjatë viteve 2019–2021, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Dosjet e çështjes në Bosnjë pretendojnë se kishte bashkëpunim të paligjshëm me oficerë policie në komunën Gacko dhe me policë kufitarë të stacionuar në këtë zonë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Srpska nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Në intervista telefonike me BIRN, Miletic dhe Zirojevic thanë se i njihnin vëllezërit Cicmil, por mohuan të kishin bashkëpunuar në kontrabandë.

Megjithatë, të dy pranuan se kishin qenë të përfshirë më parë në kontrabandë cigaresh; të dy thanë se ishin arrestuar disa herë, ishin ndjekur penalisht dhe ose ishin gjobitur, ose kishin marrë dënime me kusht.

“Nuk kam asnjë lidhje me atë grup”, tha Miletic, duke iu referuar vëllezërve Cicmil.

“Ngasin si të çmendur”

image 0 02 04 3c429ff3f3bbb6977641eeb0de65df55a9ef187290baa76b87a63285ae5f8f72 v
Automjeti që Mladen Zirojevic përdori për të kontrabanduar cigare në vitin 2018. Foto: BIRN.

Për të kaluar mes komunave Gacko dhe Pluzine, përkatësisht në Bosnjë dhe Mal të Zi, shumica e banorëve vendas duhet të përshkojnë të paktën 100 kilometra, duke kaluar në pikën kufitare Deleusa-Vracemovici.

Jo kontrabandistët e cigareve.

Ata përdorin një rrugë të asfaltuar që lidh fshatin Lipnik të Gackos me Ravnon në Pluzine. Distanca është rreth 10 kilometra.

“Është ekskluzivisht rrugë kontrabande”, tha për BIRN një burim i sigurisë në Bosnjë, në kushte anonimiteti.

Terreni përreth rrugës është tepër i pjerrët për bujqësi dhe në të qarkullojnë pothuajse fare pak automjete të tjera.

Sipas dosjeve të çështjes të siguruara nga BIRN, policia beson se grupet e kontrabandistëve i transportonin cigaret nga Mali i Zi në Bosnjë përmes qafave malore dhe i fshihnin në Avtovac dhe Lipnik, si dhe në zonat përreth tyre.

“Duke qenë se territori i komunës së Gackos kufizohet me Malin e Zi, konkretisht me komunën e Pluzines, është e mundur që mallrat e akcizës të transportohen brenda një kohe të shkurtër në vendet e fshehjes në zonat e Avtovacit dhe Lipnikut”, thuhet në një dokument.

Sipas dokumenteve, me Zirojevicin dhe Mileticin që dyshohet se drejtonin operacionin, anëtarë të tjerë të grupit monitoronin lëvizjet e policisë ose udhëtonin përpara ngarkesës me kontrabandë për të kontrolluar rrugën. Dosjet përmendin 14 persona të tjerë si të përfshirë, të gjithë nga Gacko dhe komunat përreth.

Ata përdornin të paktën nëntë automjete të ndryshme dhe shpesh ndërronin targat.

“Ngasin si të çmendur”, tha një burim i njohur me hetimin policor. “Mund të kalojnë kufirin dhe të kthehen brenda dhjetë minutash.” Policia e kishte mbiquajtur njërin prej shoferëve “Fantazma”.

“E nget makinën aq shpejt sa askush nuk mund ta kapë gjatë një ndjekjeje policore”, tha burimi.

Kontrabandistët shpesh shfrytëzonin një boshllëk në patrullimet e mbrëmjes, kur ndërroheshin turnet, mes orës 18:00 dhe 19:00.

Sipas burimeve të njohura me hetimin, në vend që ndërrimi i oficerëve të bëhej drejtpërdrejt përgjatë rrugës, policia kufitare i kryen ndërrimet në pika fikse më larg, duke e lënë kalimin informal malor të pambikëqyrur për rreth një orë çdo ditë.

“Dhe ndërsa bëhet ndërrimi i turnit, ata e kanë kryer punën”, tha një burim.

Nga Lipniku dhe Avtovaci, cigaret transportohen më thellë në territorin e Bosnjës, ku shiten përmes shitësve ambulantë. Ky reporter gjeti cigare kontrabandë që shiteshin në rrugët e Sarajevës për 4.5 marka boshnjake, ose 2.25 euro. Çmimi i paketës më të lirë të cigareve të shitura ligjërisht është 6.2 marka boshnjake, ose 3.10 euro.

Krime që mbivendosen

20180111 140022
Një oficer policie me cigaret e sekuestruara nga Mladen Zirojevici teksa drejtonte furgonin e bardhë (në foto, pas kutive). Foto: BIRN.

Sipas Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), cigaret kontrabandë zakonisht transportohen nga Mali i Zi përmes Bosnjës dhe Kroacisë drejt Sllovenisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Mali i Zi mbetet një nyje kryesore për shkak të portit të Tivarit dhe një rrjeti më të gjerë logjistik të lidhur me transportin dhe magazinimin detar; Bosnja është kryesisht vend tranziti dhe burimi për kontrabandën e cigareve dhe jo një treg i madh përfundimtar.

Sipas një studimi të Economics for Health, një organizatë kërkimore dhe politikash në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg në SHBA, vitin e kaluar tregu i duhanit të paligjshëm përbënte 8.4 për qind të konsumit total të duhanit në Bosnjë, nga 32.3 për qind në vitin 2019.

Të ardhurat nga akciza e duhanit arritën në rreth 600 milionë euro në vitin 2025, sipas të dhënave shtetërore të siguruara nga faqja boshnjake e lajmeve Klix, megjithëse besohet se shteti humbet ende dhjetëra miliona euro çdo vit për shkak të kontrabandës.

Në Mal të Zi, tregu i paligjshëm i cigareve ra nga rreth 51 për qind e konsumit total të duhanit në vitin 2019 në 22–26 për qind deri në vitin 2022, ndërsa të dhënat e qeverisë tregojnë se të ardhurat nga akciza u rritën nga 45.6 milionë euro në vitin 2020 në 119.15 milionë euro në vitin 2024.

Sasa Djordjevic, analist i lartë në GI-TOC, tha se tregtia e paligjshme e duhanit zakonisht organizohet nga grupe kriminale kombëtare që bashkëpunojnë ngushtë me homologët e tyre në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Në praktikë, kjo funksionon si një rrjet kriminal rajonal dhe jo si një grupim grupesh kombëtare të izoluara”, tha Djordjevic.

“Ata janë të aftë të përshtaten, kanë financime të konsiderueshme dhe lidhje të forta në të gjithë rajonin. Në një kuptim më të gjerë, ata shpesh mbivendosen me aktorë të përfshirë në tregje të tjera të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës.”

Në vitin 2018, Zirojevici ishte mes disa personave të akuzuar pas një operacioni të madh policor në Republikën Srpska kundër personave të dyshuar për trafikim, nëntë prej të cilëve nga zona e Gackos.

Zirojevici tha për BIRN se nuk i njihte personat e tjerë të arrestuar gjatë të njëjtit operacion, përveç atyre që ishin me të. Ai tha se kishte kontrabanduar vetëm cigare dhe se ishte dënuar për këtë.

“Sa u përket cigareve, unë u dënova në lidhje me atë operacion, për pjesën time në të”, tha ai.

“Brenda një viti u arrestova tri herë me cigare dhe çdo herë u shpalla fajtor për këtë nga gjykata në Trebinjë”, tha Zirojevici për BIRN, duke iu referuar vitit 2018.

“Pas kësaj nuk jam arrestuar për asgjë tjetër; nuk jam ndaluar apo marrë në pyetje. As nuk e di që zyrtarisht ka ndonjë çështje tjetër kundër meje.”

Pas arrestimit të parë të Zirojevicit, dy burime thanë për BIRN se telefoni i tij u vu nën përgjim nga policia. Kur policia sekuestroi një automjet që dyshohej se ai e kishte braktisur, ai u regjistrua duke telefonuar policin Sasa Glusac, i cili kishte shërbyer disa herë si shef i policisë në Gacko, përfshirë periudhën 2018–2019, dhe duke i kërkuar Glusacit që ta kthente automjetin “të paprekur”.

Zirojevici pranoi se e njihte Glusacin, por mohoi t’i kishte kërkuar që t’i kthente makinën.

“Jo, vëlla, nuk e di nga i nxirrni këto hollësi”, tha ai. “Kur u dorëzova në polici, thashë se do të vija me çelësat dhe do ta hapja makinën, në mënyrë që askush të mos thyente bravat apo diçka të tillë. U thashë se në makinë kishte cigare, se ishin cigaret e mia dhe se merrja përgjegjësinë për to.”

Ai tha se u mbajt në ndalim për 48 orë dhe më pas u lirua.

Po atë vit, sipas burimeve policore, Zirojevici u ndalua në një automjet të regjistruar në emër të një kasapi nga Gacko, i cili ishte kumbar i shefit aktual të policisë së Trebinjës, Sinisa Laketa. Në automjet u gjet një sasi e madhe cigaresh. Zirojevici tha se ishte dënuar pas të tri arrestimeve dhe se ishte gjobitur dhe kishte marrë një dënim me kusht.

Glusaci refuzoi të komentonte për çështjen pa lejen e eprorit të tij, Sinisa Laketës.

Edhe Laketa refuzoi të fliste me BIRN dhe i drejtoi pyetjet te Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Srpska, e cila nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.

Më vonë, në vitin 2022, Zirojevici u akuzua së bashku me një mjek nga Gacko për falsifikimin e një vërtetimi mjekësor për të justifikuar një mungesë tre-mujore nga puna në minierën e qymyrit dhe termocentralin shtetëror të Gackos, të njohur si RiTE. Në periudhën kur pretendonte se ishte i sëmurë, Zirojevici ndodhej në të vërtetë në burgun e qytetit të Foçës, për shkak të një akuze për sulm ndaj një zyrtari shtetëror. Sipas Zirojevicit, këto akuza u pushuan.

Në fund, në vitin 2024, oficerët kontrolluan shtëpinë e tij, objektet ndihmëse dhe ambientet e biznesit, si dhe sekuestruan përkohësisht 200 litra lëndë që dyshohej se ishte karburant. Zirojevici nuk kishte dokumentacion për karburantin, tha Administrata e Policisë së Trebinjës. Ai u paraqit vetë në polici disa ditë më vonë, por u lirua po atë ditë pa u akuzuar.

“Erdha me avokat dhe solla faturën për karburantin në fjalë nga llogaritari”, tha Zirojevici. “As sot nuk ma kanë kthyer dhe askush nuk më ka kontaktuar për këtë. Thjesht e dorëzova faturën në stacionin e policisë. Nuk më telefonuan më kurrë pas kësaj.”

“Mbetet një çështje serioze e krimit të organizuar”

img 6168 1536x1152
Tabela në hyrje të fshatit Avtovac, ku jeton Mladen Zirojevici. Foto: BIRN.

Ashtu si bashkëpunëtorët e tyre të dyshuar në Bosnjë, vëllezërit Cicmil e njihnin terrenin kufitar në Pluzine si pëllëmbën e dorës.

Si ish-drejtor i Shërbimit të Shpëtimit dhe Mbrojtjes në Pluzine, 35-vjeçari Mirko Cicmil kishte në dispozicion motorë dëbore, dronë, automjete për terrene të vështira dhe varka.

Petar Cicmil drejtonte biznesin familjar të transportit, Cicmil Prevoz, duke operuar autobusë me ndihmën e subvencioneve shtetërore.

Aktakuza ndaj tyre pretendon se ata blenë “cigare të pataksuara” nga bashkë i pandehuri Sasa Pekic dhe më pas ua shitën blerësve “të paidentifikuar” në Bosnjë. Oficerët e policisë Dragan Backovic, Predrag Vucurovic, Predrag Mijuskovic dhe Nikola Glomazic akuzohen se ndihmuan operacionin “duke përdorur pozitat e tyre zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Malit të Zi”.

Prokurorët thonë se aktivitetet e nëntë personave i shkaktuan shtetit malazez 17.5 milionë euro humbje nga taksat dhe detyrimet e papaguara ndërmjet fundit të vitit 2019 dhe marsit 2021, periudhë gjatë së cilës ata akuzohen se kontrabanduan më shumë se 22,500 paketa cigaresh, secila me nga 10,000 cigare.

Të gjithë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Djordjevici, nga GI-TOC, tha se tregtia e paligjshme e duhanit shpesh tërheq më pak vëmendje sesa tregjet e tjera kriminale, “sepse zakonisht shihet si më pak e rrezikshme se, për shembull, droga”.

“Thjesht ka një tolerancë më të madhe shoqërore ndaj cigareve të paligjshme sesa ndaj shumë mallrave të tjera të paligjshme. Por kjo nuk duhet të errësojë faktin se ky mbetet një problem serioz i krimit të organizuar.”

Etiketa: Bosnja dhe HercegovinaKontrabanda e cigareveKrimi i organizuar ne BallkanMali i Zi
cover v1 1

Në gjurmët e kontrabandës së cigareve në kufirin Bosnjë-Mal i Zi

11:20 | 30/09/2026
clint williamson

Clint Williamson: Kosova nuk përgatiti publikun për vendimin ndaj Thaçit

10:59 | 30/09/2026
dosjet foto 1

Të mbytura me dosje dhe pa siguri: Mjerimi i godinave të gjykatave në Shqipëri

08:04 | 30/09/2026
shabani

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për Avokatin e Popullit

16:36 | 29/09/2026
486575866 1050025403821424 5625365685983950215 n

I fuqishëm, me lidhje në pushtet, agresiv: Prodhuesi çek i armëve CSG fiton nga riarmatimi i Perëndimit

12:49 | 29/09/2026
sexual dysfunction montenegro

Disfunksioni seksual: Gratë në Mal të Zi vuajnë në heshtje, shpesh pa trajtim

12:06 | 29/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.