Dhjetë vjet pas hyrjes në tregun shqiptar, SPAR Albania shënon një dekadë aktiviteti me një rrjet prej 124 dyqanesh në të gjithë vendin dhe me një fazë të re investimesh në zhvillim. Kompania, e cila nisi aktivitetin në Shqipëri në vitin 2016, po e shoqëron 10-vjetorin me zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit, investime në teknologji dhe modernizimin e pikave të shitjes.
Nga një markë e re në tregun vendas të shitjes me pakicë, SPAR është zhvilluar përgjatë kësaj dekade në një prej rrjeteve me prani të gjerë në vend. Aktualisht, nën markat SPAR dhe INTERSPAR operojnë 124 dyqane, përkatësisht 118 supermarkete dhe gjashtë hipermarkete, me një sipërfaqe totale shitjeje prej rreth 47,500 metrash katrorë.
Zgjerimi është zhvilluar në mënyrë graduale, ndërsa viti i 10-vjetorit ka sjellë një ritëm më të lartë investimesh. Gjatë vitit 2026, rrjetit i janë shtuar 24 markete të reja. Në këtë zhvillim përfshihen integrimi i 16 dyqaneve të rrjetit ECO dhe blerja e aseteve të gjashtë marketeve KMY.
Një prej investimeve kryesore të këtij viti është INTERSPAR QERRET, me një sipërfaqe prej rreth 4,500 metrash katrorë. Hapja e këtij hipermarketi është pjesë e strategjisë së kompanisë për të forcuar formatin INTERSPAR dhe për të zgjeruar ofertën e produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët.
Por zhvillimi i SPAR Albania gjatë këtyre 10 viteve nuk lidhet vetëm me numrin e pikave të shitjes. Në një treg ku zakonet dhe pritshmëritë e konsumatorëve kanë ndryshuar ndjeshëm, kompania ka investuar paralelisht në modernizimin e dyqaneve, teknologji, kategoritë e produkteve të freskëta dhe përmirësimin e vazhdueshëm të përvojës së blerjes.
“Për SPAR Albania, retail-i nuk ka qenë kurrë vetëm një rrjet dyqanesh. Përgjatë këtyre 10 viteve, misioni ynë ka qenë të krijojmë vlerë reale në jetën e përditshme të konsumatorëve dhe të kontribuojmë në zhvillimin e komuniteteve ku operojmë”, shprehet Elona Hametaj, CEO e SPAR Albania.
Në raftet e rrjetit, markat ndërkombëtare bashkëjetojnë me produktet e prodhuesve vendas, ndërsa portofoli përfshin edhe mbi 2,000 produkte të markës SPAR. Sipas kompanisë, bashkëpunimi me furnitorët shqiptarë mbetet një pjesë e rëndësishme e strategjisë së saj, krahas zgjerimit të gamës dhe përshtatjes së ofertës me kërkesat në zhvillim të konsumatorëve.
Një dekadë që shkon përtej biznesit
Në bilancin e 10 viteve të aktivitetit, SPAR Albania përfshin edhe angazhimin social dhe projektet e zhvilluara paralelisht me veprimtarinë tregtare.
Prej nëntë vitesh, kompania bashkëpunon me World Vision Albania në iniciativa të fokusuara te mbështetja e familjeve dhe komuniteteve në nevojë. Në kuadër të këtij partneriteti, 100 familje në 19 bashki janë mbështetur me 18.5 ton ushqime.
Një tjetër program i zhvilluar gjatë kësaj periudhe u është drejtuar fëmijëve me aftësi të kufizuara në shtatë bashki. Sipas të dhënave të kompanisë, përmes kësaj nisme janë mundësuar 5,249 seanca terapie zhvillimi, fizioterapie dhe logopedie.
Në kuadër të 10-vjetorit, SPAR Albania po e vijon këtë angazhim përmes programit “Fuqizojmë Familjen”, duke parashikuar një kontribut prej 10’000’000 milionë lekësh në mbështetje të familjeve në nevojë.
Nisma synon që përvjetori i kompanisë të shoqërohet jo vetëm me një bilanc të zhvillimit të saj në treg, por edhe me një kontribut konkret dhe të prekshëm për komunitetin.
Pas 10-vjetorit, fokusi te zgjerimi
Për SPAR Albania, 10-vjetori shërben njëkohësisht si një moment bilanci dhe si pikënisje për fazën e ardhshme të zhvillimit. Objektivi mbetet vijimi i zgjerimit të rrjetit SPAR dhe INTERSPAR në vend, krahas investimeve në formatet e dyqaneve, teknologji dhe përvojën e konsumatorit.
Gjatë dekadës së fundit ka ndryshuar ndjeshëm edhe vetë tregu shqiptar i retail-it. Konkurrenca është rritur, konsumatori është bërë më kërkues dhe teknologjia është integruar gjithnjë e më shumë në mënyrën se si organizohet dhe përjetohet blerja.
Në këtë kontekst do të zhvillohet edhe kapitulli i ardhshëm i SPAR Albania, me synimin që rritja e rrjetit të shoqërohet paralelisht me investime në standarde, shërbim dhe ofertë.
Pas një dekade në tregun shqiptar, 10-vjetori mbyll kështu një etapë të rëndësishme për kompaninë dhe hap një fazë të re zhvillimi për rrjetin SPAR dhe INTERSPAR në Shqipëri.
