Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale parashikojnë garanci të reja për personat që thirren për t’u marrë në pyetje. Edhe kur thirret si person në dijeni, atij do t’i bëhet e ditur me shkrim, në fletën e thirrjes, e drejta për t’u paraqitur me avokat.
Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe figurë. Po ashtu, parashikohet se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, trajtim çnjerëzor apo degradues do të jenë absolutisht të papërdorshme si prova.
“Ndryshimi i tretë i rëndësishëm mbyll një zonë gri të marrjes në pyetje. Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet në fakt si i dyshuar, pa avokat dhe pa garanci. Kushdo që thirret në Prokurori ose edhe në Polici, edhe si person në dijeni, do të ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Kur dyshimi ndaj tij ka ekzistuar që në momentin e pyetjes, deklarimet e marra nën një status tjetër nuk mund të përdoren më tej kundër tij. Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe me figurë. Hiqet nga Kodi justifikimi “kur është e mundur”.
Nëse shteti merr në pyetje një njeri, shteti duhet të jetë në gjendje të tregojë në çdo kohë saktësisht si e ka marrë deklarimin e tij dhe sa e ka respektuar dinjitetin e tij si qytetar gjatë marrjes në pyetje. Dhe për herë të parë shkruhet, pa asnjë ekuivok, se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, me trajtim çnjerëzor apo me sjellje degraduese ndaj personit, janë absolutisht të papërdorshme. Një shtet që kërkon të vërtetën nuk mund ta prodhojë atë me dhunë apo me presion verbal mbi njeriun”, tha Rama gjatë prezantimit të ndryshimeve.
Lajmi kryesor:
Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live









