Këtë të martë erdhi në Top Channel dhe Top Albania Radio, emisioni i dedikuar teknologjisë “Tech Talk” nga Kristi Gongo dhe Kushtrim Shala. Në puntatën e parë ishte e ftuar moderatorja e “Për’puthen” dhe ish-finalistja e BBVA 3, Heidi Baci, e cila rrëfeu rrugëtimin e saj të jetës, nga dëshira për të ndjekur farmaceutikën tek fama që i erdhi e papritur. Baci tha se ishte e apasionuar pas, mjekësisë, konkretisht farmaceutikës, por jeta e çoi në rrugëtim tjetër pasi studimet e saj u ndërprenë për shkak të pandemisë globale COVID-19 në vitin 2021.
“Unë kisha qejf të bëja farmaceutikën, por jeta më çoi në rrugëtime të tjera, ndodhi ai problemi global i COVID-it, fiks pasi unë përfundova trevjeçarin e parë, kështu që nuk përfundova dot specializimin që doja të bëja për farmaceutikën, por mund të bëhesh biologe, studioja kiminë, analiza, kam mësuar të hap edhe të mbyll leprovetën me një dorë, për shembull, ishte një pjesë testi. Ishte problematika globale e COVID-it, unë prandaj vendosa mos ta vazhdoja më, se në Itali do vazhdoja të bëja teste në një moment të vështirë për shtetin, njerëzit nuk futeshin në asnjë vend pa bërë teste.”
Më tej Heidi foli edhe për marrëdhënien me ndjekësat e saj në platformat sociale, për të cilët tha se është shumë falënderuese pasi shprehu se “ata praktikisht i ndërtuan një karrierë”.
“Janë shumë të dhënë pas meje. Është një raport që sapo e mendoj këtë gjënë që ndoshta një farë presioni që mund të kem ndjerë, e vërteta është që nuk e di ku do isha pa ata. Ata kanë qenë forca ime më e madhe dhe unë e shijoj shumë këtë raportin tonë. E kam vënë veten në kushte që flitet për mua, ndaj nuk e kam problem edhe nëse kritikohem, po ta vësh në peshore dashuria e audiencës time do fitojë gjithmonë, ndaj nuk e kam problem edhe kritikën sepse ata më ndërtuan një karrierë praktikisht”, përfundoi ajo.