Gjatë prezantimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama vuri fokusin dhe te provat e gjetura në sajë të sekuestrimit të celularit të një individi që është në hetim, për çka theksoi se jeta private e njerëzve nuk duhet të cënohet përderisa nuk lidhet me veprën penale që individi në fjalë dyshohet të ketë kryer.
“Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai është arkivi i jetës së njeriut, i komunikimeve, fotografive, lëvizjeve, financave dhe marrëdhënieve të tij. Prandaj, sekuestrimi i një pajisjeje nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban.
Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material i përdorshëm si instrument presioni apo si produkt konsumi mediatik.”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Po ashtu, një vëmendje të veçantë iu kushtua dhe hapave të tjerë të Kodit të Procedurës penale që kanë pësuar ndryshime. Rama u ndal te marrja në pyetje e një personi dhe veprimet kryesore për të cilën tha se mund të regjistrohen me zë e figurë, e cila vlen kryesisht në rastet kur merret pëlqyeshmëria e personit në fjalë. Ndërsa shtoi se veprimet hetimore të kryera me dhunë ndaj çdo individi do të jenë të pavlefshme.
“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar. Dhe shkruhet se deklarimet e marra me sjellje me presion apo dhunë nuk vlen. Ndryshimi i 4 vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike.”, shtoi më tej Rama.
Më tej, kreu i qeverisë shqiptare theksoi për të disatën herë se materialet e siguruara gjatë hetimeve të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me çështjen për të cilën qytetari mund të hetohet, nuk janë të vlefshme dhe duhet të asgjësohen. Ndërsa për pjesën e përgjimeve kryeministri theksoi se duhet të kuptohet nëse personat në fjalë kanë lidhje me hetimin, duke theksuar se këta të fundit duhet të jenë në dijeni se për ta është regjistruar një procedim.
“Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar apo parë gjithçka. Për ata hapur duhet vendim i gjykatës…Në rast të urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi vlerësohet nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë në lidhje me përgjimet, duhet të shikohet vetëm ato që kanë lidhje me hetimet. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim.
Hetimet e fshehura në kohë nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës. Në gjyq do të shkojnë çështje që kanë perspektivë reale. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzat dhe mbrojtjen. Ndryshimi i gjashtë ka rëndësi sepse nxjerr prezumin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit. Gjyqi në Pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi. Me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt.”, vijoi më tej kryeministri.

