Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të mërkurë ndryshimet e propozuara për masat e sigurisë në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se arresti me burg duhet të jetë alternativa e fundit. Ai u shpreh se procesi penal duhet të nis nga liria dhe deri te masat më të buta.
Sipas tij, për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet më masa e arrestit me burg. Duke theksuar se heshtja e personit apo mospranimi i akuzës nuk duhet të konsiderohen si tregues të rrezikshmërisë.
“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama.
Po ashtu ai u shpreh se me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, avokatët do të kenë mundësi të kryejnë hetimet dhe verifikimet e veta, ndërsa i pandehuri do të ketë akses te provat. Rama deklaroi se personi nën hetim do të ketë akses të pakushtëzuar te provat dhe të marrë pa pagesë dosjen e plotë, përpara se çështja të dërgohet për gjykim.
“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të kryejë hetimet e veta, të marrë dokumente, të kryejë verifikime dhe të angazhojë ekspertë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat dhe të marrë pa pagesë dosjen e plotë, para se çështja të dërgohet në gjyq. Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e favorizojnë fajtorin”, tha Rama.
Gjithashtu Rama bëri me dije se edhe personat e thirrur si “persona në dijeni” di të kenë të drejtë të paraqiten me avokatë.
“Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar pa avokat e garanci, kushdo do të ketë në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë e figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë saktësisht si e ka respektuar dinjitetin e tij. Për herë të parë, shprehet në letër se deklarimet e marra nën torturë apo nën trajtim çnjerëzor, janë të papërdorshme”, tha Rama.
