Nelson Hysa ndez sfidën me Kabayel: Titullin botëror do e sjell në Shqipëri

Nelson Hysa ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth përballjes së shumëpritur me Agit Kabayel, duke e kthyer sfidën për titullin botëror në një mision me simbolikë të veçantë për Shqipërinë.
Boksieri shqiptar pritet të përballet me kampionin e WBC-së në peshat e rënda më 28 nëntor në Dusseldorf, në një duel që është raportuar nga disa media ndërkombëtare të boksit.
Kabayel vjen me një rekord prej 27 fitoresh dhe asnjë humbjeje, ndërsa Hysa është i pamposhtur me 25 fitore, 23 prej tyre me nokaut.
Në reagimin e tij, Hysa i është drejtuar drejtpërdrejt Kabayelit, duke theksuar se këtë herë bëhet fjalë për më shumë se një ndeshje boksi.
“Më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, shqiptarët do të jenë në stadium për Shqipërinë”, shprehet Hysa, duke bërë thirrje për mbështetje nga tifozët kuqezi.
Boksieri shkodran shton se synimi i tij është i qartë: të japë gjithçka në ring dhe të tentojë ta sjellë titullin botëror në Shqipëri.
Përballja merr një simbolikë të veçantë për Hysën, pasi data 28 nëntor përkon me Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Kabayel, kampioni aktual i WBC-së, e ka pranuar sfidën dhe pritet të mbrojë titullin ndaj Hysës.
Dueli do të jetë një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së boksierit shqiptar, i cili deri tani ka ruajtur rekordin perfekt në ring.




