Policia e Elbasanit ka sekuestruar 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa në kuadër të operacionit të koduar “Shitblerja”.
Për ngjarjen është shpallur në kërkim një 40-vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. N., 40 vjeç, banues në Elbasan, policia gjeti dhe sekuestroi 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Sipas policisë, një pjesë e lëndës ishte ndarë në doza të gatshme për shitje.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan gjithashtu një peshore elektronike, një armë gjahu që dyshohet se mbahej pa leje, 71 700 lekë dhe 100 euro.
Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk ndodhej në banesë. Ai është shpallur në kërkim, ndërsa policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në kuadër të të njëjtit operacion janë proceduar në gjendje të lirë edhe dy persona, B. D., 37 vjeç, dhe A. S., 20 vjeç, të dy banues në Elbasan.
37-vjeçari u kap pranë banesës së 40-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe, sipas policisë, dyshohet se kishte shkuar për të blerë lëndë narkotike. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një thikë.
Ndërkohë, pranë banesës u kap edhe 20-vjeçari, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike. Sipas dyshimeve të policisë, ai e kishte blerë lëndën nga 40-vjeçari K. N.













