Policia e Tiranës, ka arrestuar dy persona të dyshuar për dy raste zjarrvënieje, një në zonën e Kombinatit dhe një tjetër në fshatin Prush.
Në Kombinat, shtetasi E. K., 49-vjeç, dyshohet se u vuri flakën disa mbeturinave në sheshin “Garibaldi”.
Të lidhura
None found
Sipas Policisë, ai tentoi të largohej kur pa efektivët. Gjatë kontrollit fizik iu gjet një thikë, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Verifikimet treguan se ndaj E. K. ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në rastin tjetër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin Sh. H. Ai dyshohet se ndezi zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të tij në fshatin Prush.
Flakët u përhapën në sipërfaqen kodrinore të fshatit, ku u dogjën pisha, bimësi e egër dhe pemë të tjera.
Arrestimet pasuan veprimet hetimore dhe operacionale të Policisë, të ndërmarra në kuadër të masave për parandalimin e zjarrvënieve dhe identifikimin e autorëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
