Në Greqi, çmimi mesatar i benzinës pa plumb, 95 oktanë, ishte të martën rreth 2 euro e 21 cent për litër, ndërsa nafta rreth 2 euro e 23 cent. Në disa ishuj, çmimet janë edhe më të larta, duke shkuar deri në 2.45 euro për litër.
Kështu, sipas Mitsotakis, nga 1 deri më 15 tetor, subvencioni shtetëror për naftën e automjeteve rritet nga 10 në 15 cent për litër. Me uljen shtesë që pritet të japin rafineritë, lehtësimi total mund të arrijë në 20 cent për litër. Për benzinën, deri tani nuk është parashikuar subvencion i drejtpërdrejtë nga shteti.
Masat do të rishikohen çdo 15 ditë, pasi qeveria thotë se çmimet ndërkombëtare të naftës vazhdojnë të kenë luhatje të mëdha.
Vëmendja është edhe te nafta për ngrohje, shitja e së cilës fillon më 15 tetor. Objektivi i qeverisë është që çmimi fillestar të mbahet nën 1 euro e 75 cent për litër, ndërsa çmimi mesatar vitin e kaluar ka qenë rreth 1.15 euro për litër. Vendimet përfundimtare për nivelin e mbështetjes dhe subvencionet për qytetarët në nevojë do të shpallen deri më 14 tetor.
Paketa nuk kufizohet vetëm te karburantet. Qeveria zgjeron gjithashtu skemën për shlyerjen e borxheve të vjetra të bizneseve të vogla dhe të mesme ndaj shtetit, nga 72 në deri në 120 këste, me këst minimal prej 30 eurosh.
Ndryshojnë edhe rregullat për kompanitë që administrojnë kreditë e këqija. Nëse një servicer shkel një marrëveshje të rregullt me një debitor, parashikohen gjoba që mund të arrijnë deri në 500 mijë euro, ndërsa vendosen kufizime të reja edhe për parapagimet që u kërkohen qytetarëve.
Por për familjet greke, problemi më urgjent mbeten çmimet në pompë. Benzina dhe nafta qëndrojnë mbi 2 euro për litër dhe qeveria paralajmëron se masat mund të ndryshojnë sërish në varësi të tregjeve ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje