Interi ishte pranë humbjes së kapitenit dhe një prej futbollistëve kryesorë të tij, Lautaro Martinezit, pasi Barcelona kishte ndërmarrë një përpjekje konkrete për të transferuar sulmuesin argjentinas.
Të lidhura
None found
Klubi katalanas e konsideronte 29-vjeçarin si një prej alternativave për të zëvendësuar Robert Lewandowskin. Megjithatë, marrëveshja nuk u arrit dhe Martinez vijoi karrierën te Interi.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e ka pranuar këtë interes dhe ka treguar edhe për një komunikim që pati me ish-drejtuesin e Interit, Giuseppe Marottan.
“Është e gjitha e vërtetë. E dëshiroja Lautaro Martinezin me çdo kusht. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe nuk donim ta humbnim këtë mundësi”, u shpreh Laporta për CorSport.
Ai tregoi se kishte kontaktuar Marottan, por përgjigjja ishte e qartë: “E telefonova Marottan dhe ai më tha se futbollisti nuk ishte në shitje. Në çdo rast, çështja nuk lidhej vetëm me mundësinë e transferimit, sepse Interi synonte ta mbante lojtarin. Për respekt ndaj Marottas, të cilin e vlerësoj shumë, vendosëm të mos e çonim më tej”.
Ndërkohë, një tjetër emër i lidhur me futbollin italian mund të jetë në fokusin e Barcelonës, këtë herë për rolin e trajnerit.
Fjala është për Cesc Fabregasin, aktualisht trajner i Comos dhe ish-futbollist i Barcelonës. Prej një kohe, spanjolli përmendet si një kandidat me potencial për të drejtuar në të ardhmen ekipin katalanas.
Laporta foli me vlerësim për Fabregasin, duke veçuar lidhjen e tij të fortë me klubin dhe mënyrën se si ai e koncepton lojën.
“Askush nuk e njeh më mirë se ai mentalitetin dhe vizionin e Barcelonës. Këtu është formuar dhe kjo do të jetë gjithmonë shtëpia e tij. Gjithashtu, na pëlqen mënyra se si e interpreton futbollin”, deklaroi presidenti i Barcelonës.
Pavarësisht vlerësimit për Fabregasin, Laporta theksoi se Barcelona është aktualisht e kënaqur me punën e Hansi Flick.
“Megjithatë, tani kemi një trajner të jashtëzakonshëm si Flick dhe e keni parë tashmë se çfarë mund të arrijë”, përfundoi ai.
Laporta foli gjithashtu për Superligën Evropiane dhe ndikimin e klubeve të mëdha në zhvillimet e futbollit të kontinentit.
“Ne ishim ndër themeluesit e ECA-s, e cila bëri një punë shumë të mirë për shtatë vjet. Kishim idetë tona dhe ato ide, edhe pse në fillim mbaheshin peng, ndihmuan në sjelljen e ndryshimeve prej të cilave sot përfitojnë të gjithë”, tha Laporta.
“Sot klubet janë më të fuqishme se më parë”, përfundoi presidenti i Barcelonës.
