Me draftin e Kodit të ri të Procedurës Penale, paraburgimi do të jetë alternativa e fundit. Drafti, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama, përcakton qartë se Gjykata para se të caktojë një masë arrest me burg do të duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta të sigurisë dhe arrestin në shtëpi.

Arresti në burg do të vendoset vetëm kur alternativat e tjera janë të pamjaftueshme. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur sipas gjendjes reale financiare të personit.

Ndryshon edhe afati brenda të cilit prokurori duhet të raportojë për vazhdimin e masës së sigurisë. Nga raportimi çdo muaj, me ndryshimet e reja raportimi do të bëhet një herë në dy muaj, ku prokurori duhet t’i argumentojë gjykatës nëse vazhdojnë të ekzistojnë arsyet për mbajtjen në fuqi të masës arrest në burg.

“Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme.  Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur natyrisht sipas gjendjes reale financiare të personit, me përjashtimet e domosdoshme për rrezikun ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet specifike që janë kompetencë e Gjykatës së Posaçme. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato. Liria nuk mund të kufizohet një herë dhe pastaj të harrohet sikur nuk ekziston më”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live