6.25 milionë euro është fondi që do të shërbejë për zhvillimin e Parkut Arkeologjik Bylis–Klos.

Ministri Blendi Gonxhja ka bërë të ditur sot se shkojnë rreth 2 milionë euro nga fondi për ndërtimin e një Qendre të re Multifunksionale të Vizitorëve, ku do të përfshijë një muze prej 206 metrash katrorë, si edhe hapësira për kërkim shkencor dhe konservim.

Ky investim sipas ministrit synon që të kthehet në një mundësi zhvillimi për turizmin dhe për të gjithë komunitetin vendas.

Reagimi i Blendi Gonxhes:

“Së bashku me Ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, AICS dhe autoritetet vendore, inspektuam nga afër kantierin dhe ecurinë e projektit.Parku arkeologjik Bylis-Klos po hyn në një etapë të re zhvillimi përmes një financimi prej 6.25 milionë eurosh nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga AICS dhe MTKS dhe 2 milion euro shkojnë për qendër multifunksionale ku vizitorët do të gjejnë një muze prej 206 metra katror ndërsa specialistët do të kenë hapësira për kërkim dhe konservim. Parku ka një plan të ri menaxhimi për vitin 2024 -2029 dhe tani po punojmë për një njësi të posaçme publike administrimi me 13 punonjës dhe 3 sektorë që do të kujdesen për shërbimin e vizitorëve. Në të njëjtën kohë puna për zbatimin e planit të konservimit monumenteve të hartuar për të gjithë parkun ka nisur me 5 prej tyre: Teatrin e Bylisit, Bazilikën D, Cisternën, Krytanejonin dhe Teatrin e Klosit ku 11 arkeologë ndërkohë janë angazhuar në terren për këtë punë. Ky projekt historik investon edhe tek njerëzit e zonës në Mallakstër nga 15 guida vendase trajnuara 13 janë certifikuar dhe trajnime parashikohen edhe për banorët që duan të zhvillojnë bujtina dhe njësi mikpritjeje. Projekti përfshin 5 grante me vlerë 210 mijë euro për sipërmarrjen lokale me 20 përfitues mes tyre te paktën 10 gra dhe 5 të rinj nën 30 vjeç. Kështu ruajta e Bylisit ku kemi sipërfaqe më te madhe të mozaikëve dhe gjetjeve antike kthehet edhe në një mundësi zhvillimi për turizmin dhe për të gjithë komunitetin vendas”, njoftoi Gonxhe.