Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kufizojnë përdorimin e arrestit në burg. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet arrest me burg për të gjitha veprat penale. Gjatë prezantimin të draftit nga kryeministri Edi Rama, i bë me dije se me Kodin e ri të Procedurës Penale masat shtrënguese (si arresti në shtëpi, detyrim paraqitje, garancia pasurore apo ndalimi për të dalë jashtë shtetit) nuk do të vendosen për dënime deri në 3 vite, për të gjitha veprat penale. Po ashtu, kur gjyqtari mendon se dënimi do jetë më i vogël se 3 vite burg, personat e dyshuar nuk do të lihen në paraburgim.

Mbrojtje e posaçme parashikohet edhe për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve. Nuk do të caktohet arrest në burg për gratë shtatzënë nënat me fëmijë nën 6 vjeç, për baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve, si dhe për kujdestarin e një fëmije të cilit i kanë vdekur prindërit.

“Për veprat me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull, nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Për vepra me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës, e marrë më vete, nuk do të mjaftojë më. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me vetë personin. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit dhe nuk arsyeton pse masat më të buta nuk mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit.

Po ashtu, paketa forcon edhe mbrojtjen e njerëzve në gjendje të cenueshme. Nëna me fëmijë deri në gjashtë vjeç, babai ose kujdestari kur nëna nuk jeton ose nuk është në gjendje të kujdeset, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe personat në programet terapeutike nuk mund të trajtohen më sikur rrethanat e tyre njerëzore të mos ekzistojnë”, tha Rama gjatë prezantimit të draftit.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live