Alma Hilaj rrëfehet për FIFA-n: Duhet të japim gjithçka në play-off, ëndrra është Botërori!
Alma Hilaj po përgatitet për një prej sfidave më të rëndësishme në historinë e Kombëtares shqiptare të femrave. Mbrojtësja kuqezi do të ketë mundësinë të luajë në qytetin e saj të lindjes, Shkodër, në përballjen e “play-off”-it për Botërorin “Brazil 2027” ndaj Uellsit.
Ndeshja e parë e gjysmëfinales do të zhvillohet më 9 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 13 tetor në Llanelli të Uellsit. Fituesi i këtij dueli do të përballet në finalen e “play-off”-it me fituesin e çiftit Norvegji-Rumani. Për Hilajn, fakti që Shqipëria ka arritur për herë të parë në këtë fazë përbën një moment të veçantë.
“Është një arritje e madhe për ne. Jemi të lumtura që kemi arritur deri këtu. Nuk kemi qenë kurrë më parë në këtë fazë, ndaj tani duhet ta shijojmë këtë rrugëtim me qetësi dhe pozitivitet. E kemi arritur objektivin minimal dhe tani duhet të japim gjithçka në këto dy ndeshje”, u shpreh Hilaj në intervistën për FIFA-n.
Shqipëria e njeh mirë kundërshtarin, pasi është përballur dy herë me Uellsin në fazën kualifikuese. Kuqezinjtë pësuan dy humbje, 4-0 dhe 1-0, por Hilaj beson se këto sfida mund t’i ndihmojnë ekipit në përballjen e radhës.
“Ka një diferencë të madhe mes nesh dhe Uellsit, si në nivel kombëtareje, ashtu edhe si grup. Në letër dhe në fushë, ata kanë treguar se janë më të fortë. Ndeshja e parë në Uells shkoi shumë keq për ne, ishte një lloj katastrofe. Në të dytën u paraqitëm më mirë, edhe pse humbëm sërish. Kishim disa lojtare që mungonin për shkak dëmtimesh apo arsye të tjera dhe me grupin e plotë mund të kishim bërë më shumë”, tha mbrojtësja shqiptare.
Megjithatë, për Hilajn fakti që Shqipëria është përballur më herët me Uellsin mund të kthehet në një avantazh.
“Uellsi është një ekip i fortë dhe është përmirësuar shumë gjatë viteve. Kur pamë shortin, nuk dinim se çfarë të dëshironim, pasi kishte edhe ekipe të tjera të forta si Portugalia. Por fakti që jemi përballur më parë me Uellsin dhe e kemi provuar veten ndaj tyre, mendoj se është në favorin tonë”, theksoi ajo.
Fjalë të veçanta Hilaj kishte edhe për trajnerin e Kombëtares, Armir Grimaj, me të cilin ka një marrëdhënie të gjatë.
“E njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Në aspektin e futbollit, ai është ndoshta personi që më njeh më mirë. Më njeh që kur isha 16 vjeç dhe jemi gjithashtu nga i njëjti qytet”, u shpreh ajo.
Sipas Hilajt, Grimaj ka qenë gjithmonë një mbështetje për të dhe për grupin, edhe në periudhat kur gjërat nuk kanë shkuar mirë.
“Ai ka pasur gjithmonë besim te grupi dhe veçanërisht tek unë, edhe në momentet kur nuk luaja shumë me klubin apo kur gjërat nuk po shkonin mirë. Gjithmonë ka besuar tek unë. Kjo mbështetje na ka ndihmuar të gjithëve të rritemi. Ai njeh shumë prej nesh prej kohësh dhe di si ta menaxhojë grupin në mënyrën më të mirë”, tha futbollistja.
Shqipëria nuk ka marrë ende pjesë në një fazë finale të Kupës së Botës për femra. Për Hilajn, një kualifikim i mundshëm në “Brazil 2027” do të ishte një moment historik për futbollin shqiptar.
“Do të ishte një ëndërr e bërë realitet. Të kualifikohesh në Botëror është kulmi i karrierës së çdo lojtareje. Për federatën dhe gjithë futbollin shqiptar, një arritje e tillë do të mundësonte një hap të madh përpara”, deklaroi ajo.
Hilaj theksoi se futbolli i femrave në Shqipëri ka ende shumë hapësirë për t’u zhvilluar.
“Jemi një vend i vogël futbolli dhe kemi ende shumë punë për të bërë, por një arritje e tillë do të ishte transformuese”, shtoi mbrojtësja.
Hilaj prej disa vitesh luan në Itali, ku eksperienca e saj ka qenë e rëndësishme për zhvillimin si futbolliste. Te Genoa ajo aktivizohet në mesfushë, ndërsa me Kombëtaren shqiptare luan kryesisht si qendërmbrojtëse.

“Kur isha 16 vjeç, nuk mendoja shumë për këtë. E shtyrë nga pasioni që kam pasur që fëmijë, thjesht doja të vija këtu dhe të jepja maksimumin. Kam mësuar shumë nga trajnerët dhe shoqet e skuadrave me të cilat kam punuar”, rrëfeu Hilaj.
Ajo veçoi sidomos aspektin taktik të futbollit italian.
“Në Itali ka një fokus shumë të madh te ana taktike e lojës. Është një nga ndryshimet që kam vënë re më shumë krahasuar me vende të tjera”, tha ajo.
Ndërkohë, për sezonin me Genoan, objektivi është i qartë: rikthimi në elitën e futbollit italian.
“Objektivi ynë është shumë i qartë dhe nuk fshihemi pas tij: duam të fitojmë kampionatin dhe të rikthehemi në Serie A. Vitin e kaluar kishim një ekip shumë të mirë, por hasëm disa vështirësi. Këtë sezon grupi është i bashkuar dhe i fortë dhe synojmë të shkojmë sa më lart”, përfundoi Alma Hilaj.

