Kurti kërkon negociata me PDK e LDK, në fokus “Presidenti” dhe strategjia kundër “Hagës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se është në komunikim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Në fokus të diskutimeve, janë zgjedhja e presidentit të ri dhe qëndrimi i Kosovës lidhur me procesin ndaj ish krereve të UÇK-së.
“Unë jam në komunikim drejtpërdrejt, pra nuk kemi ndërmjetës, me kryetarët e dy partive opozitare; me Bedri Hamzën, kryetarin e PDK-së, dhe me Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK-së”, tha Kurti.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu miratimin me 99 vota të deklaratës së Kuvendit kundër dënimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas tij, kjo dakordësi duhet të shërbejë si bazë për një strategji të përbashkët shtetërore në procesin e apelimit.
“Është e rëndësishme që t’i mbledhim jo vetëm energjitë, por edhe kokat e fushës së caktuar, e kjo është përgjithësisht ekspertizë juridike, në mënyrë që në apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfojë drejtësia”, tha Kurti.
Sa i përket iniciativës ligjore të PDK-së, Kurti tha se ajo është ende në shqyrtim nga institucionet.
Shefi i qeverisë theksoi se zyra ligjore e kryeministrisë ka kërkuar mendime nga ministria e Drejtësisë dhe ministria e Financave, ndërsa përgjigjet pritet të jenë gati brenda kësaj jave.
Por koha është e kufizuar edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Kurti tha se kanë mbetur vetëm pak ditë dhe kërkoi takime të reja mes liderëve politikë.
“Është domosdoshme që të kemi takime të reja. Në njërën anë për mbrojtjen strategjike shtetërore për të pandehurit në Hagë që u shpallën padrejtësisht fajtor , dhe në anën tjetër gjithashtu nuk besoj që duhet të kemi destabilitet të mëtutjeshëm institucional. Në këtë situatë kur me 99 vota për e arritëm një dakordim të përgjithshëm, dhe tash të hyjmë në rivalitetet e ashpra të fushatave zgjedhore. Nuk besoj që është punë e mençur nga e cila do të përfitonte ndokush përveç se kundërshtarëve të Kosovës”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes u bëri thirrje partive politike që të vazhdojnë dialogun duke paralajmëruar se përplasjet politike mund të dëmtojnë stabilitetin institucional të Kosovës.




