Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë me dije se vijon puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë, pas ngordhjes masive të peshqve të konstatuar pas zbrazjes së ujit për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi njofton se Forcat e Armatosura janë angazhuar në terren në mbështetje të Emergjencave Civile dhe Bashkisë së Lushnjës për menaxhimin e situatës.
Po ashtu në operacion janë angazhuar 49 efektivë, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse e Forcave të Armatosura.
"Lushnjë - ku efektivë dhe mjete të Forcave të Armatosura po angazhohen bashkërisht me strukturat bashkiake në operacionin për menaxhimin e situatës së krijuar në rezervuarin e Kasharaj.
Në mbështetje të Emergjencave Civile të Bashkisë Lushnjë, në operacion për pastrimin e rezervuarit janë angazhuar 49 forca, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse e FA.
Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt vijon me intensitet deri në normalizimin e plotë të situatës së krijuar," shkruan Nufi.
