Vllaznia gjen trajner të ri, merr ish-ndihmësin e Lothar Matthaus

Te Vllaznia duket se ka marrë fund pritja për trajnerin e ri.
Klubi shkodran ka zgjedhur hungarezin Csaba Laszlo për të marrë drejtimin e skuadrës.
Trajneri 62-vjeçar, i cili zotëron një eksperiencë të gjatë në futbollin ndërkombëtar, raportohet se ka arritur marrëveshjen me presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi, dhe pritet të prezantohet zyrtarisht gjatë fundjavës.
Laszlo ka drejtuar gjatë karrierës së tij disa klube të njohura, mes tyre Ferencvaros, Hearts, MTK Budapest dhe Dundee United. Përvoja e tij shtrihet edhe në nivel kombëtaresh, pasi ka qenë trajner i Lituanisë dhe Ugandës, ndërsa më herët ka shërbyer edhe si ndihmës i Lothar Matthaus te përfaqësuesja e Hungarisë.
Nëse marrëveshja zyrtarizohet, kjo do të shënojë përfundimin e epokës së Erald Martinit në stolin kuqeblu dhe nisjen e një kapitulli të ri me Laszlo në krye të skuadrës.
Hungarezi pritet të nisë menjëherë punën me ekipin, me objektivin për të njohur grupin dhe për ta përgatitur Vllazninë për sfidën e radhës ndaj Dinamos. Prezantimi zyrtar pritet të zhvillohet gjatë ditëve në vijim.




