
Një rast urgjent që kërkon ndihmën e shqiptarëve, është publikuar së fundmi nga familjarët e një foshnje të lindur para kohe në muajin e gjashtë të shtatzanisë.
Vogëlushi 5 muajsh, ka nevojë për operim pasi ka 2 kiste në tru të cilat dita ditës po i përhapen duke i rrezikuar jetën. Foshnja lindi në maternitetin e Kukësit më datë 21 prill të këtij viti, por për shkak të problemeve shëndetësore u transportua për në maternitetin Koço Glizheni në Tiranë brenda së njëjtës ditë.

I mituri ka nevojë për transplant kirurgjikal që mund të kryhet vetëm në Itali për shkak se në Shqipëri nuk janë mjetet e duhura për një ndërhyrje aq delikate. E braktisur nga instancat shtetërore, familja e vogëlushit kërkon ndihmë nga shqiptarët për të mbledhur shumën prej 40 mijë eurosh që do t’u mundësojë trajtimin e të voglit. Në platformën “Go Fund” (linkun e të cilës mund ta gjeni duke klikuar: këtu), deri më tani janë mbledhur rreth 7 mijë euro, por ende mbeten larg objektivit ndërsa çdo ditë që kalon vështirëson gjendjen e foshnjës.
“Përshëndetje, unë quhem Ernest Afmataj. Djali im lindi në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe ka ciste në tru; ne nuk kemi mundësi të përballojmë kurimin dhe kujdesin e nevojshëm, pasi nuk jemi në një gjendje ekonomike të favorshme – siç mund ta merrni me mend duke parë këtë fushatë në GoFundMe...”- shkruhet në përshkrimin e njoftimit.

Raste të tilla kur shqiptarët kërkojnë ndihmë në këto platforma, janë tashmë të shumta për shkak se shteti jo vetëm që nuk disponon mjetet e operimeve të rëndësishme, por as nuk ofron ndonjë ndihmë për trajtimin e shqiptarëve jashtë vendit.
Versus.al ka publikuar edhe më parë raste ku qytetarët kërkojnë ndihmën e bashkëatdhetarëve të tyre ndërkohë që ndihen të braktisur nga shteti dhe institucionet shëndetësore, si rasti i Albi Sulës, 37 vjeçarit pa diagnozë prej vitesh i cili lufton me dhimbjet, ndërsa QSUT vijon t’i mbushë mendjen se nuk ka asgjë. Versus.al

