Shfaqja “Kafe në mesditë” ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental

30 Shtator 2026, 15:15Kulturë TEMA
Shfaqja “Kafe në mesditë” ngjitet në skenën e

 Shfaqja “Kafe në mesditë”, një vepër e dramaturgut të njohur kroat Miro Gavran, u ngjit parmbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, duke sjellë për publikun një histori të ngrohtë, plot humor dhe emocion mbi marrëdhënien mes një nëne dhe djalit të saj.

E interpretuar nga Mladena Gavran dhe Vedran Komerički, vepra rrëfeu përmes dialogut të dy personazheve ulje-ngritjet e një marrëdhënieje familjare përgjatë më shumë se njëzet viteve. Bisedat e zhvilluara gjatë një kafeje u kthyen në një udhëtim në kohë, ku u prekën tema si dashuria, familja, kujtesa, kalimi i viteve dhe marrëdhëniet mes brezave.

Interpretimi i dy aktorëve e solli historinë në mënyrë të natyrshme dhe të afërt me publikun, duke krijuar momente humori, por edhe reflektimi mbi lidhjen e veçantë mes prindit dhe fëmijës.

Kjo vepër erdhi në Tiranë në kuadër të Javës Kulturore Kroate.

Miro Gavran është një nga autorët bashkëkohorë më të njohur të Kroacisë, me një krijimtari që përfshin dramaturgjinë, prozën dhe letërsinë për fëmijë. Veprat e tij janë përkthyer dhe vënë në skenë në shumë vende të botës, duke e bërë atë një prej dramaturgëve kroatë më të luajtur ndërkombëtarisht.

Krijimtaria e Gavranit është karakterizuar nga temat universale, marrëdhëniet njerëzore, familja, dashuria dhe konfliktet e përditshme, të trajtuara shpesh përmes një kombinimi të humorit dhe ndjeshmërisë. Veprat e tij kanë marrë vëmendje dhe çmime të shumta, ndërsa dramaturgjia e tij është bërë pjesë e repertorëve të teatrove në Evropë dhe më gjerë.

Përmes “Kafe në mesditë”, Gavran ka sjellë një tjetër histori të fokusuar te marrëdhëniet njerëzore, duke e kthyer një bisedë të thjeshtë mes një nëne dhe djali në një rrëfim për kohën, kujtesën dhe lidhjet familjare. A.K./TemA

Lini një Përgjigje