Kombëtarja shqiptare e femrave do të përballet me Uellsin, në ndeshjen e vlefshme për fazën e play-off të Kupës së Botës 2027. Ndeshja e parë është përcaktuar për t'u zhvilluar më 7 tetor, ndërsa ajo e kthimit 6 ditë më vonë. Në kuadër të këtij takimi shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, ka dhënë një intervistë për FIFA-n, futbollistja e Kombëtares dhe njëkohësisht e Genoas, Alma Hilaj.
Me çfarë mendësie po i drejtoheni play-off me Uellsin?
Është një arritje e madhe për ne. Jemi të lumtur që jemi pjesë e kualifikueseve dhe se nuk e kemi arritur kurrë më parë këtë fazë më parë. Tashmë ne thjesht duhet të shijojmë rrugëtimin. Kemi arritur vetëm minimumin e objektivit tonë dhe tashmë do të japim gjithçka kemi në këto dy ndeshje.
Mposhtët Malin e Zi dhe barazuat me Çekinë përgjatë kualifikueseve. Cila ishte forca juaj në këto ndeshje?
Ne jemi vërtetë grup i mirë. Kemi luajtur bashkë për 2 vite dhe e njohim njëra-tjetrën shumë mirë. Kemi cilësi të jashtëzakonshme, pavarësisht disa dobësive. Kemi luajtur futboll cilësor në këto dy ndeshje, veçanërisht atë ndaj Malit të Zi. Nuk mund të bënim diçka më shumë ndaj Çekisë. Jo sepse na mungon cilësia, por ka ndeshje kur nuk mund të performosh në nivelin tënd më të lart. Ne jemi skuadër më e mirë se Mali i Zi, gjë që sigurisht ndihmon.
Jeni përballur me Uellsin dy herë gjatë kualifikueseve të Europianit, duke humbur dy herë. Çfarë mësimi morët?
Ekziston një diferencë shumë e madhe mes nesh dhe atyre, si në nivel skuadrash edhe në grupe. Në letër dhe në fushë, e kanë treguar se janë më të fortë. Ndeshja e parë në Uells shkoi keq për ne. Ishte disi katastrofë, por bëmë më mirë në pjesën e dytë. Është e vërtetë që e humbëm atë gjithashtu, por na mungonin disa lojtare nga dëmtimet dhe për arsye të tjera. Do bënim më shumë nëse do të ishim forcë e plotë.
Uellsi është një skuadër e fortë dhe janë përmirësuar përgjatë viteve të fundit. Kur pamë shortin, nuk dinim për çfarë të shpresonim, pasi kishte dhe të tjera skuadra të forta si Portugalia. Megjithatë, mendoj se fakti që jemi përballur më herët me ta dhe kemi provuar veten kundër tyre, është një avantazh i yni.
Raporti me trajnerin Armir Grimaj, në detyrë që prej vitit 2016?
E njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Në termat e futbollit, ai është personi që më njeh shumë mire, që kur isha 16 vjeçe. Ne jemi gjithashtu nga i njëjti qytet. Ka patur gjithmonë shumë besim te grupi dhe tek unë në përgjithësi, edhe kur nuk luaja shpesh ose kur gjërat nuk shkonin mirë. Ka besuar gjithmonë tek unë. Na njeh të gjithave ne dhe di si ta menaxhojë grupin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nuk jeni kualifikuar kurrë në Kupën e Botës. Nëse do të bëhej realitet, çfarë do të thoshte për ju?
Një ëndërr e bërë realitet. Kualifikimi në Kupën e Botës përfaqëson kulmin e karrierës për çdo lojtare. E kemi parë se si është zhvilluar futbolli i femrave në botë, duke ndjekur edhe edicionet e Kupës së Botës, çfarë është e dukshme edhe për Kombëtaren italiane. Ka ende vend për të përmirësuar, por një arritje e tillë do të ishte transformuese.
Ke luajtur në Itali për disa vite tashmë, si ka ndikuar te zhvillimi yt?
Nuk e mendova gjatë kur isha 16 vjeçe. E udhëhequr nga pasioni, doja të vija këtu për të dhënë më të mirën time. Kam mësuar shumë nga trajnerë të ndryshëm dhe shoqe skuadre me të cilat kam punuar. Në Itali përqëndrohen më shumë tek ana taktike e lojës, çfarë është edhe arena që kam kuptuar se bën diferencën ndryshe nga të tjerat. E kam ndjekur Italinë nga afër në Botëror. Ishte diçka e madhe të shihje lojtaret në fushë me të cilat ndaja dhomën e veshjes ose t’i kisha kundërshtare./ Newsport.al
