Policia e Tiranës ka nisur verifikimet pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale të disa videove me përmbajtje intime, ku pretendohet se shfaqen persona të njohur publikë.
Sipas raportimeve, materialet janë përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa në disa raste janë përmendur emra të personazheve të njohur të showbizit shqiptar. Identiteti i personave që shfaqen në disa prej videove, megjithatë, nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Përballë qarkullimit të këtyre materialeve, strukturat e Policisë së Tiranës kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat e publikimit dhe shpërndarjes së tyre, si dhe personat që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.
Çështja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ndërsa personazhe publike kanë ngritur shqetësimin për cenimin e privatësisë dhe përhapjen e materialeve intime pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Në një reagim të saj, Ori Nebijaj e cilësoi situatën si një kalim “nga skandali në spektakël” dhe kërkoi që të ketë përgjegjësi ligjore për personat që shpërndajnë materiale të tilla.
Ndërkohë, në rrjet vijojnë të publikohen pretendime dhe materiale të ndryshme, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nga verifikimet zyrtare autenticiteti i tyre dhe identiteti i personave që shfaqen në pamje.


