Çfarë do të gjeni në brendësi
*Vizita e zyrtare së lartë të Bashkimit Evropian, Ursula Von der Leyen në Tiranë ka nxjerrë në bulevard më herët se orari i nisjes së protestës, dhjetëra të rinj aktivistë. *Me pankarta në duar ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. *Nga ana e saj, policia është angazhuar maksimalisht duke bllokuar hyrjen para godinës së qeverisë, ndërsa ka patur dhe tensione mes tyre dhe protestuesve. *Në bulevard janë hedhur dhe flakadanë, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë jashtë, duke thirrur parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit.
Protesta kundër qeverisë, hidhen flakadanë nga protestuesit në Bulevard. Policia përplaset me aktivistët

Tensione janë shënuar gjatë protestës së sotme në Bulevard kundër qeverisë, teksa forcat e Policisë kanë ndërhyrë sërish për të larguar protestuesit nga perimetri i sigurisë.
Protesta e cila sot shënon 123 ditë, ka nisur më herët pasi në Kryeministri po zhvillohen takime mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së KE-së, Ursula Von der Leyen.
Në pamjet nga vendngjarja shihen efektivët duke shtyrë protestuesit për t’i zhvendosur nga zona e përcaktuar e sigurisë.
Protestuesit kanë vijuar me thirrjet e tyre, ndërsa mes tyre dhe forcave të Policisë janë regjistruar debate dhe përplasje fizike gjatë shtyrjes së turmës.
Situata në bulevard vijon të jetë e tensionuar, ndërsa Policia po tenton të mbajë protestuesit jashtë perimetrit të sigurisë.
Mësohet se janë ndezur dhe flakadanë, ndërsa në Bulevard janë dhjetëra forca policie të cilët nuk lejojnë protestuesit t'i afrohen godinës së qeverisë./Versus.al
Von der Leyen në Tiranë, bllokohet bulevardi pranë Kryeministrisë. Policia masa të shtuara sigurie

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, viziton sot Tiranën, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, ku në fokus janë procesi i integrimit europian dhe ecuria e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.
Në prag të mbërritjes së zyrtares së lartë europiane, janë marrë masa të shtuara sigurie në kryeqytet. Nga pamjet e siguruara për “BalkanWeb” nga gazetari Osman Stafa, duket se bulevardi pranë Kryeministrisë është bllokuar me gardhe metalike, ndërsa në zonë janë dislokuar efektivë të Policisë së Shtetit dhe autobote uji.
Sipas agjendës së publikuar nga Kryeministria, Von der Leyen pritet të mbërrijë rreth orës 16:30 në zyrën e kryeministrit Edi Rama.
Më pas, Presidentja e Komisionit Europian do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama, i cili pritet të zgjasë rreth një orë.
Në përfundim të takimit, rreth orës 17:30–18:00, Von der Leyen dhe Rama pritet të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku do të bëhen publike detaje nga diskutimet.
Vizita në Tiranë është pjesë e turit të Ursula von der Leyen në katër vende të Ballkanit Perëndimor, me fokus avancimin e procesit të integrimit europian dhe marrëdhëniet e vendeve të rajonit me Bashkimin Europian./Versus.al
Vizita e Von der Leyen në Tiranë, qytetarët e presin me protesta. Policia krijon kordon para Kryeministrisë

Vizita e Von der Leyen në Tiranë ditën e sotme është pritur me protesta nga dhjetëra aktivistë.
Ata po qëndrojnë jashtë perimetrit të sigurisë të vendosur nga policia në kuadër të vizitës së diplomates evropiane, ndërsa efektivët po tentojnë që t’i largojnë.
Qytetarët mbajnë disa pankarta në duar, ndërsa në njërën shkruhet: “Jo BE me Edi Ramën”./Versus.al

