I ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, Presidenti i Paneuropa-Shqipëri, Genc Pollo, deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë duhet të shoqërohet me respektimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Pollo tha se, pavarësisht interesit strategjik për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria përballet me probleme serioze që lidhen me shtetin ligjor dhe klimën politike.
Ai kritikoi qasjen e institucioneve europiane ndaj qeverisë shqiptare, duke theksuar se brenda BE-së ka qëndrime të ndryshme për situatën në Shqipëri dhe se disa shtete anëtare kanë ngritur shqetësime konkrete gjatë procesit të integrimit.
Pollo ngriti shqetësimin edhe për pasojat ekonomike të hapjes së tregut europian, veçanërisht për bujqësinë shqiptare.
Sipas tij, heqja graduale e tarifave mund të ekspozojë fermerët shqiptarë ndaj konkurrencës së produkteve serbe, të cilat përfitojnë nga subvencione më të mëdha.
Ai kërkoi që gjatë negociatave me BE-në të parashikohen mekanizma mbrojtës dhe një periudhë graduale për sektorët më të dobët të ekonomisë.
Pollo tha gjithashtu se biznesi shqiptar duhet të përfshihet më shumë në diskutimet për integrimin, ndërsa kritikoi qeverinë për mungesën e një debati të plotë parlamentar mbi pasojat dhe sfidat që sjell hapja ndaj tregut europian.
Pjesë nga intervista:
Edhe qytetarët protestues që pamë pak përpara. Edhe biznesi, edhe opozita këto 12 vjet kanë kërkuar një normë bazë, një parim, një vlerë bazë të Bashkimit Europian që është shteti ligjor e pastaj demokracia dhe pastaj liria dhe të drejtat e njeriut. Dhe një ekonomi tregu kompetitive, kuptohet ata që janë oligarkë e i kapin sektorët e tregut me anë të shtetit, nuk janë të interesuar për një konkurrencë të lirë.
Por, në situatën që kemi, dhe për shkak të problemeve në një masë të vogël brenda BE-së, dhe në një masë të madhe për shkak të problemeve në Ballkanin Perëndimor, situata nuk është e pjekur që këto shtete, shtetet tona të anëtarësohen e thënë thjesht.
Por kjo nuk do të thotë që nuk do provohen, nuk do verifikohen kriteret duke filluar nga kriteret bazë që janë shteti ligjor. Natyrisht kur themi Bashkimi Europian nuk duhet ta kuptojmë si një masë homogjene, që çfarë thotë njëri, për shembull zonja Von der Leyen, pavarësisht se ka një post me autoritet të lartë, është e thënë dhe e bërë në Bashkimin Europian. Natyrisht që në Komisionin Europian ka një shtysë të madhe për t'i përqafuar vendet anëtare, për arsye ekonomike, për arsye gjeopolitike. Ka dhe persona si Martha Kos, komisionerja e zgjerimit, që ka një afeksion të madh për Edi Ramën, nuk shkonte dot aty sa Hyseni për Agasin, por prapë është e gatshme që me deklaratat e saj nganjëherë t'i thotë të zezës të bardhë dhe të bardhës të zezë. Ka dhe persona të tjerë më të përgjegjshëm.
Ka dhe shtete anëtare që kundrejt propozimit të Komisionit që i bëri me nxitim e shpejt e shpejt thanë: 'Jo, sepse në Shqipëri kemi probleme serioze'. Dhe në atë kohë, ju kujtohet, nuk ishte vetëm refuzimi për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, por ishin dhe shumë gjëra të tjera që u shënuan si kushte shtesë nga shtetet anëtare. Pra, Bashkimi Europian dhe përpjekja për t'u futur aty është gjithmonë e vlefshme, gjithmonë qëllim strategjik, gjithmonë inhenrente e brendshme për Shqipërinë, nga kjo nuk duhet hequr dorë kurrë, pavarësisht nga problemet që mund të ketë Bashkimi Europian, shpresojmë që ato të korrigjohen. Por në rrethanat konkrete, avantazhet e vogla që mund të kesh, për shembull nga pranimi në SEPA, për sa kohë Banka e Shqipërisë i përmbushi kriteret, transfertat që Genci apo Edvini bëjnë me Italinë apo Gjermaninë apo Francën, në vend që të kushtojnë 30 euro siç ishin përpara, tani kushtojnë 6 euro ose 5 euro. Pra janë disa gjëra të vogla pozitive e mora si shembull thjeshtësues.
E njëjta gjë mund të jetë dhe me roaming, e njëjta gjë mund të jetë për biznesin, i cili do të duhej të fliste më shumë, se si do të përballonte trysninë e konkurrencës që vjen nga aksesi në tregun europian. Se aksesi është me dy drejtime, do hapësh dhe tregun tënd. Po për fat të keq, ne kemi një klimë të zaptuar nga skandalet e mëdha dhe nga shembja e shtetit ligjor, dhe nuk arrijmë dot në një normalitet ku këto çështje të diskutoheshin në parlament. Sidomos ose në komisionin për integrim evropian, ose në komisionin që parashikon një komitet apo staf për stabilizim-asociimin, i cili parashikon dhe konsultime me palë jashtë parlamentit. Fatkeqësisht këto gjëra nuk kanë ndodhur.
Dikur ndodhin në fakt më shumë, kryesimin e kishte opozita, në këtë legjislaturë kryesimin e ka maxhoranca, ndodhin edhe më pak. Por e vërteta është e drejtë që biznesi, ekonomia private, ekonomia në Shqipëri duhet të fliste më shumë se si do të përballojë hapjen ndaj tregut të përbashkët të Bashkimit Europian. Nuk është çështje që do ndodhi nesër. Komisioni Europian, Bashkimi Europian do ta nënçmojë dhe do të duan muaj e vite që kjo të zbatohet. Por gjithsesi është me vend të thuhet.
U ngrit nga opozita. U ngrit nga shumë palë, por në zhurmën e përgjithshme të mbytur nga skandalet dhe nga frika e rikrijimit të një ish-Jugosllavie me në krye Vuçiçin dhe pastaj Ramën, nuk i krijoi hapësirën e nevojshme, hapësirën që do meritonin shqetësimet që produktet e Serbisë, produktet bujqësore të mirë-subvencionuara të Serbisë, në kushtet e heqjes së tarifave do përmbysnin dhe do falimentonin ata fermerë që kanë mbijetuar në Shqipëri. Sepse ne nuk subvencionojmë, Shqipëria, qeveria Rama nuk subvencionon në të njëjtën masë. Këto janë gjëra që duhet të kihen parasysh edhe kur të negociohet me Bashkimin Europian, që sektorëve që janë më të dobët, apo edhe jetikë për vendin tonë, t'i krijohet ajo mbrojtje tarifore me një gradualitet. Janë gjëra që i kanë bërë dhe shtetet e tjera.
© SYRI.net
Vokshi: Integrimi i pjesshëm që kërkojnë Rama-Vuçiç nuk ka mbështetje, BE-ja kërkon plotësimin e kritereve
Protesta e 123-të/ Pas fjalimeve, protestuesit nisin marshimin: Rama jepe dorëheqjen
‘Laku ka ardhur te Ali Baba’/ Abilekaj: 40 bashkëpunëtorë të Ramës në hetim e burg, tani vjen drafti me 150 ndryshime