Rrëfimi i rrallë i Jorida Tabakut, nga betejat në PD te sakrificat për familjen
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ishte e ftuar këtë të mërkurë në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion”, nën moderimin e Fjodora Fjorës, ku ka dhënë një intervistë ndryshe nga profili i saj i zakonshëm zyrtar.
Në një rrëfim plot emocione, Tabaku ka hapur zemrën për fëmijërinë, momentet më kritike në karrierën e saj politike, si dhe betejat e përditshme për të qenë prezente pranë familjes.
Ajo u ndal gjatë te periudha e vështirë e shtatzënisë dhe rikuperimit pas lindjes së vajzave binjake, ardhja më pas në jetë e djalit, si dhe presioni i vazhdueshëm për të përballuar angazhimet e ngjeshura parlamentare.
Deputetja e PD-së rrëfeu për Vizion Plus se politika ka qenë një pasion i hershëm i rrënjosur që në fëmijëri, por pranoi se “çmimi i paguar” në jetën private e familjare ka qenë shpesh i lartë dhe me sakrifica të mëdha.
Fjodora Fjora: Kush ka qenë momenti më i vështirë për ty në të gjithë rrugëtimin?
Tabaku: Kur mora vesh që isha shtatzënë me binjake, thashë si do ia dal. Kur erdhi djali, ishte pikëpyetja më e madhe. Është shumë e vështirë t’i bësh të gjitha mirë. Jam fokusuar tek më të rëndësishmet. Unë politikën e bëj me shumë dëshirë. E kam pasur pasion që e vogël. Unë për çdo ligj që kalon në parlament kaloj kohën time, bëj një kërkim. Protesta po ashtu na ka dhënë një dinamikë tjetër. Është një punë që të kërkon të angazhohesh 100%, por përpiqem të jap maksimumin.
Deputetja tha se një nga pikëpyetjet më të mëdha për të është se si do ta gjykojnë fëmijët e saj në të ardhmen për zgjedhjet që ka bërë.
Tabaku: Beteja që kemi pasur në parti ka qenë një moment jo i lehtë. Një debat që kemi pasur brenda partie. Kur më tepër kur shkoje në shtëpi dhe fëmijët prisnin: “Pse u vonove kaq shumë?”. Dhe pyesja me vete: a ia vlen kaq shumë kjo sakrificë? Edhe gjatë fushatës së votimit vitin e kaluar kam hequr dorë të të pëlyqerit gjithkënd. Jo gjithmonë ia dalim, por përpiqem që gjërat t’i shoh pak më me qetësi. Pikëpyetja më e madhe është se si do më gjykojnë fëmijët kur të jenë më të rritur, kur të lexojnë për mua. Goca më tha: “Nuk më pëlqen kjo puna deri në 2 të natës, në ditën e enjte që kishte parlament.”
Tabaku tha se ardhja në jetë e djalit e bëri edhe më të vështirë balancimin mes familjes dhe angazhimeve, por sot, teksa fëmijët janë rritur, ajo e sheh atë periudhë me një tjetër perspektivë.
Tabaku: Vajzat lindën shumë të vogla dhe se patën të lehtë periudhën e rikuperimit. Unë për 8 javë duhesha në punë dhe ajo ishte një periudhë shumë e vështirë për mua. Ka qenë një nga periudhat më të lodhshme. Unë kam fatin që bashkëshorti është i përfshirë 100%, ndonjëherë edhe më shumë se unë. Më e vështirë u bë kur në jetë erdhi edhe djali. Është lodhja më e bukur, në fakt. Tashmë janë rritur dhe lodhja është harruar.
/vizionplus.tv




