Jo çdo turist që shkon në Japoni po kërkon robotë, ekrane dhe arkitekturë futuriste. Një estetikë që rikthen atmosferën e Japonisë së mesit të shekullit XX po fiton vëmendje të re. Njihet si “Showa retro” dhe ndërthur kafene të vjetra, tabela me neon, mobilie vintage, ngjyra të forta dhe ambiente që duken sikur koha ka ndaluar disa dekada më parë.
Termi lidhet me periudhën Showa, që zgjati nga viti 1926 deri në 1989, megjithëse estetika retro që po rikthehet sot fokusohet kryesisht te dekadat e pasluftës. Kissaten, kafenetë tradicionale japoneze, janë ndër vendet ku kjo atmosferë ruhet më qartë, me dru të errët, sedilje të veshura, filxhanë klasikë dhe menu që mund të përfshijnë cream soda me ngjyra të ndezura apo ëmbëlsira të stilit të vjetër.
Interesi nuk vjen vetëm nga brezat që e kanë jetuar atë periudhë. Për të rinjtë, Showa është një botë që nuk e kanë përjetuar vetë dhe pikërisht për këtë arsye mund të duket e re. Objektet analogë, paketimet vintage dhe interior-et që dikur konsideroheshin të vjetruara sot funksionojnë si një alternativë ndaj ambienteve shumë të kuruara dhe minimaliste.
South China Morning Post raporton se ekspertët presin që estetika të tërheqë gjithnjë e më shumë edhe vizitorët ndërkombëtarë. Për turizmin japonez kjo krijon një shtresë tjetër të destinacionit / përveç Japonisë tradicionale dhe asaj futuriste, ekziston edhe Japonia e jetës së përditshme të viteve ’50, ’60, ’70 dhe ’80.