Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria po ecën mirë me zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, duke përmbushur 80% të reformave të parashikuara. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ajo bëri të ditur se vendi ka përfituar deri tani 213 milionë euro dhe se pagesa të tjera priten në javët në vijim.

“Mesazhi im i tretë ka të bëjë vërtetë me rezultatet e Planit tonë të Rritjes. Thjesht dëshiroj t’ju kthej në kujtesë faktin se cilat janë këto parime, pra të Planit të Rritjes, që ne sjellim investime të BE në Shqipëri. Ndërsa ju përgatiteni për t’u bërë pjesë e BE, ne hapim disa pjesë të tregut tonë të përbashkët dhe në të njëjtën kohë ju miratoni dhe ndërmerrni reformat që nevojiten, që kompanitë tuaja të jenë konkurruese për të pasur sukses në tregjet tona përkatëse. Pra, që fusha të jetë e niveluar tërësisht dhe njësoj për të gjithë. Kjo natyrisht është e rëndësishme sepse ekonomia juaj më pas mund të përafrohet gradualisht me tregun e përbashkët të BE, siç e thatë.

Pra, Shqipëria po ecën vërtetë shumë mirë përsa i përket Planit të Rritjes, ju po ecni shumë mirë, shumë shpejt. Keni përmbushur mbi 80% të reformave dhe është fantastike kjo. Tashmë keni marrë më shumë se 213 milionë euro fonde nga BE dhe në javët në vijim priten dhe pagesa të tjera. Ne kemi arritur rezultate të mira, jo vetëm përsa u përket reformave, por edhe për tre elementet të cilat unë dëshiroj që t’i përmend.

Ju jeni pjesë e SEPA-s, e mbaj mend vjet që është zona e vetme e pagesave në euro. SEPA ka potencialin që t’u kursejë kompanive të Ballkanit Perëndimor rreth 500 milionë euro në vit sepse ulen shumë tarifat e transaksioneve, pra komisioneve dhe tashmë në Shqipëri, këto komisione kanë rënë më shumë se 90%. Pra është një avantazh vërtete i prekshëm për bizneset shqiptare. 

Çështja e dytë për të cilën ne po punojmë është ulja e tarifave të roaming.  Sepse unë besoj që kjo është një mundësi shumë e mirë që njerëzit të afrohen me njeri-tjetrin dhe këto negociata duhet t’i përshpejtojmë.  Unë ju premtoj se ne rast se ju negocioni me ne dhe me kompanitë ne mënyrë të suksesshme, unë do të kthehem pikërisht atë ditë, kur ne do të fillojmë roaming falas këtu në Shqipëri. Sa i përket dhe bizneseve dhe këtë bashkëpunim ndërmjet bizneseve të BE dhe atyre shqiptare dhe kjo po ecën shumë mirë.  Mbaj mend që vjet për shembull ne kemi patur Konferencën e parë të Investimeve ndërmjet Ballkanit Perendimor dhe BE. U mobilizuan 4 miliardë euro në marrëveshje të reja për rajonin, kjo është gjë vërtet shumë e mirë dhe ju uroj të njëjtin sukses dhe për edicionin e dytë të kësaj konference që me ç’më kanë thënë do të organizohet në nëntor", tha Von der Leyen. 


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit/ Rama: Kush tradhton, të përballet me drejtësinë, reforma s'ndalet! Von der Leyen: Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, provë se sistemi funksionon