Greta Garbo është rikthyer në ekran. Aktorja legjendare suedezo-amerikane, e cila vdiq në vitin 1990, është rikrijuar me inteligjencë artificiale për një reklamë të kompanisë suedeze SKF. Fytyra dhe imazhi i saj shfaqen në një film të ri publicitar më shumë se një shekull pasi Garbo kishte marrë pjesë në një nga fushatat e hershme ku promovohej industria suedeze.
Projekti është realizuar me miratimin e familjarëve që menaxhojnë trashëgiminë e saj. Craig Reisfield, një prej tyre, i tha The Guardian se familja madje nuk e përjashton mundësinë që një version i krijuar me AI i Garbo-s të përdoret në të ardhmen edhe në role të tjera.

Dhe pikërisht këtu historia bëhet më e madhe se një reklamë. Teknologjia po e bën gjithnjë e më të mundur rikrijimin bindës të aktorëve që nuk jetojnë më, duke hapur pyetje të reja për kontrollin e imazhit të tyre. Kush vendos se në cilën reklamë mund të shfaqet një ikonë e Hollywood-it? A duhet një aktor të “vazhdojë” karrierën pasi ka vdekur vetëm sepse familja ose zotëruesit e të drejtave japin leje?
Rasti i Garbo-s është veçanërisht interesant për shkak të figurës së saj. Ajo u tërhoq nga kinemaja në moshë relativisht të re dhe më pas u bë e famshme për privatësinë e saj ekstreme. Tani teknologjia po krijon mundësinë që një prej figurave më të rezervuara të Hollywood-it të shfaqet përsëri në ekran pa qenë fizikisht aty.