Botë e Çuditshme Music

A mund të bëjë muzikë një kërpudhë? Një ekspozitë po i kthen sinjalet elektrike të mykut në tinguj!

Në Exeter të Anglisë është hapur një ekspozitë ku kërpudhat nuk trajtohen vetëm si pjesë e natyrës apo e gastronomisë, por si burim për art, muzikë dhe histori kulturore. “Living Labyrinths”, në Royal Albert Memorial Museum & Art Gallery, eksploron botën e fungi përmes instalacioneve që ndërthurin artin me biologjinë.

Një nga projektet më të pazakonta vjen nga muzikanti dhe DJ Jason Singh. Ai kaloi orë të tëra në pyll duke regjistruar dhe punuar me sinjalet elektrike të mycelium-it, rrjetit të imët që formon pjesën nëntokësore të kërpudhave. Këto sinjale u përkthyen në të dhëna që më pas u përdorën për të krijuar një soundscape / një lloj “bashkëpunimi” muzikor mes artistit dhe organizmave të pyllit.

Por ekspozita shkon edhe më tej. Një tjetër vepër i kushtohet Beatrix Potter, e njohur në të gjithë botën për historitë e Peter Rabbit, por që kishte gjithashtu një interes serioz shkencor për mykologjinë. Ndërkohë, artistja Gemma Anderson-Tempini ka krijuar një hartë artistike të mykobiomës së trupit të saj, duke përdorur pigmente të prodhuara nga dheu dhe gurët.

Ekspozita ka qenë rreth pesë vite në përgatitje dhe tregon se interesi për kërpudhat po kalon shumë përtej kuzhinës. Ato po shfaqen në art, dizajn, materiale të reja dhe diskutime rreth mënyrës se si organizmat komunikojnë dhe bashkëjetojnë në natyrë.