Një prej gazetarëve të pranishëm në konferencën e përbashkët që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e pyeti lidhur me deklaratën e bërë pak ditë më parë në Rias, ku duke iu referuar rastit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, Rama u shpreh se përgjegjësia është individuale.
Gjatë përgjigjes së sotme Rama këmbënguli në të njëjtën tezë, duke argumentuar se përgjegjësia e tij politike lidhet mbi të gjitha me vijimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Kryeministri e cilësoi debatin mbi përgjegjësinë politike si një çështje që është përsëritur vazhdimisht në diskutimin publik, ndërsa theksoi se nuk e sheh përgjegjësinë e një politikani si të lidhur automatikisht me çdo veprim të një personi të emëruar prej tij.
Sipas Ramës, në një sistem demokratik duhet të bëhet dallimi mes përgjegjësisë politike dhe asaj individuale, ndërsa personat që shkelin ligjin duhet të përballen me institucionet e drejtësisë dhe jo me përgjegjësinë e atij që ka bërë emërimin.
Në këtë kontekst, Rama solli si shembull edhe Francën, duke argumentuar se në një demokraci funksionale përgjegjësia për veprime të caktuara duhet të përcaktohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe jo të konsiderohet automatikisht përgjegjësi e drejtuesit politik.
“Franca është një vend demokrat, një vend padiskutueshmërisht i fortë nga pikëpamja institucionale, ministri i Drejtësisë u akuzua për pedofili, nuk u largua nga detyra, presidenti i kërkoi drejtësisë të bënte punën e vet dhe në fund procesi e nxori ministrin e pafajshëm dhe secili vazhdon punën e vet. Në rastin tonë një gjë është e sigurt, askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për t'u përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e gjyqësorit apo hetimit, apo gjykimit të pavarur. Këtu mbaron përgjegjësia ime politike”, tha Rama.
Pjesë nag fjala e Ramës:
Nuk e kuptova se ku donte të dilte pyetja. Kjo e përgjegjësisë politike është një histori e përsëritur pa fundësi në mjedisin e diskutimit publik këtu. Dhe unë nuk pretendoj që të bëj të ndryshoni kuptim për përgjegjësinë politike, por vetëm mund t'ju përsëris, përgjegjësia ime politike është vetëm një dhe një, reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha atyre ngacmimeve që i bëhen organizmit të shtetit nga veprime që bien ndesh me ligjin të zhvillohet gjithmonë dhe më shumë si një mision i sistemit, sepse kemi qenë në këtë vend edhe pse ju jemi më të rinj, kemi qenë në moshë të mjaftueshme për të gjykuar individualisht kur gjërat që shohim sot dhe që ndodhin sot as nuk mund të imagjinoheshin dhe ky vendi për të cilin po flas nuk ka qenë në shekullin e kaluar, por ka qenë vetëm deri përpara se ne të ndërmerrnim këtë reformë të drejtësisë. Nëse pyetja juaj nënkupton që për përgjegjësitë individuale të njërit apo tjetrit duhet të përgjigjemi si në komunizëm, unë u them që atë sistem e kemi ndryshuar.
Nëse ju mendoni që kur një emërim bëhet atëherë që në atë moment lind përgjegjësia e atij që e emëron si rezultat i faktit që i emëruari gjatë rrugës mund të bëjë gabim në raport me vijën e sjelljes, kjo është një mënyrë e të parit si në kohën e komunizmit, ndërkohë që sot jetojmë në demokraci. Dhe sot kemi detyrë që të ndajmë me publikun qëllimet, të ndajmë se çfarë duhet të bëjmë me mbështetjen e publikut dhe fondet që mblidhen nga taksat, të japim llogari për mënyrën si e bën dhe pastaj cilido që tradhton qëllimin e përbashkët duhet të përballet me pasojat në anën tjetër të sistemit që është gjyqësori. Franca është një vend demokrat, një vend padiskutueshmërisht i fortë nga pikëpamja institucionale, ministri i Drejtësisë u akuzua për pedofili, nuk u largua nga detyra, presidenti i kërkoi drejtësisë të bënte punën e vet dhe në fund procesi e nxori ministrin e pafajshëm dhe secili vazhdon punën e vet. Në rastin tonë një gjë është e sigurt, askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për t'u përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e gjyqësorit apo hetimit, apo gjykimit të pavarur. Këtu mbaron përgjegjësia ime politike.

