Vizita e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë është shoqëruar me protesta pranë Kryeministrisë, ku qytetarët kanë përdorur edhe ironinë për të përcjellë mesazhet e tyre.
Mes pankartave të shfaqura gjatë protestës, njëra i drejtohet drejtpërdrejt von der Leyen, duke rikthyer në vëmendje projektin hekurudhor Durrës-Rrogozhinë, të prezantuar vite më parë nga kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Ku është treni, Ursula?”, shkruhet në pankartën e protestuesve.
Mesazhi rikthen në vëmendje premtimet dhe deklaratat e bëra ndër vite për projektin hekurudhor, ndërsa është përdorur nga protestuesit si një nga mënyrat për të shprehur pakënaqësinë e tyre gjatë vizitës së zyrtares së lartë europiane në Tiranë.
Protesta po zhvillohet pranë Kryeministrisë, në një kohë kur von der Leyen ndodhet në Tiranë për takime me drejtuesit shqiptarë në kuadër të vizitës së saj në rajon.













