POLITIKË /

Udhërrëfyesi i BE për Shqipërinë, Von der Leyen: Do të përcaktojmë çfarë mbetet për t’u bërë dhe afatet

Presidentja e Komisionit Evropian njoftoi se do të hartohen udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit, duke përfshirë Shqipërinë.

Shkruar nga Versus

Udhërrëfyesi i BE për Shqipërinë, Von der Leyen: Do

Bashkimi Evropian pritet të rishikojë politikën e zgjerimit, në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin e vendeve të reja. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e bëri të ditur këtë gjatë vizitës së saj në Tiranë, duke njoftuar edhe hartimin e udhërrëfyesve për vendet kandidate që kanë bërë më shumë përparim.

Von der Leyen tha se javën e ardhshme do të prezantohet rishikimi i politikës së zgjerimit, ku do të shqyrtohen politikat dhe buxheti i BE-së, për të vlerësuar nëse Unioni është i përgatitur për të mirëpritur anëtarët e rinj.

“Zgjerimi është një proces me dy kahe. Edhe BE-ja duhet të jetë gati të mirëpresë anëtarët e rinj. Javën e ardhshme do të paraqesim rishikimin e politikës sonë të zgjerimit. Do të shohim politikat tona, buxhetin tonë, për t’u siguruar që BE-ja është gati për t’u zgjeruar dhe për të mirëpritur anëtarët e rinj”, u shpreh ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian njoftoi se do të hartohen udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit, duke përfshirë Shqipërinë.

Sipas saj, këto dokumente do të përcaktojnë çfarë mbetet për t’u bërë dhe afatet për përmbushjen e detyrimeve.

“Do të përcaktojmë udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh. Shqipëria është një ndër to. Ne do të sqarojmë se çfarë mbetet për t’u bërë dhe deri në çfarë date”, deklaroi Von der Leyen.

Ajo theksoi se udhërrëfyesit do të shërbejnë edhe për të garantuar vijimin e respektimit të vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit.

“Do të përcaktojmë edhe udhërrëfyesit, që të sigurohemi që vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit të vazhdojnë. Angazhimet e marra për anëtarësimin duhet të vazhdojnë të respektohen edhe pasi një vend të jetë bërë shtet anëtar”, tha Von der Leyen.

Von der Leyen tha gjithashtu se BE-ja do të shqyrtojë mënyrën se si do të hartohen traktatet e ardhshme të anëtarësimit, duke iu referuar edhe masave mbrojtëse të përfshira në traktatet e mëparshme me vendet që tashmë janë pjesë e Unionit./Versus.al

 

Poll