“Shqipëria u kthye në narkoshtet”, Berisha: Rama rrezik për vendin dhe për rajonin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shfrytëzoi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për të ngritur shqetësimin për situatën në Shqipëri.
Në një mesazh nga Strasburgu, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka shndërruar Shqipërinë në narkoshtet.
“Unë bëra thirrje për mbështetje nga ky institucion në luftën kundër narkoshtetit në Shqipëri, i cili përbën rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe më gjerë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha kërkoi që Këshilli i Europës të ndërmarrë sanksione ndaj Serbisë, e cila nderon Ratko Mlladiç.
“Sot në Beograd fantazmat e Ratko Mlladiç po bëjnë fushatë krah patronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, dhe kjo përbën një fyerje, një rrezik të madh për rajonin, një fyerje të rëndë për mbarë qytetërimin botëror. Kërkova dhe do insistoj që sanksione të qarta të vendosen ndaj Serbisë në raport me Këshillin e Europës, mbasi ky akt vjen në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet themelore”, u shpreh Berisha.
Në mesazhin e tij, Berisha theksoi se Ratko Mlladiç është orkestruesi i gjenocidit më të madh pas Luftës së Dytë Botërore në Srebrenicë dhe se nderimet ndaj tij janë të papranueshme.
/vizionplus.tv




