Art & Kulturë Lifestyle

Muzeu po bëhet vendi ku del për një pije pas pune/ Vizitat e mbrëmjes po e ndryshojnë mënyrën si përjetojmë artin!

Një vizitë në muze zakonisht lidhet me një pasdite të qetë, por disa institucione kulturore po provojnë një formulë më sociale. Museum of the City of New York ka zgjeruar programin e tij të së mërkurës duke qëndruar hapur deri në orën 21:00, me hyrje falas, ndërsa nga ora 17:00 deri në 21:00 funksionon edhe një pop-up bar me kokteje, pije joalkoolike dhe snacks.

Në Philadelphia, National Liberty Museum po përdor një ide të ngjashme me “Liberty Hour”. Nga e mërkura deri të premten, ora klasike e happy hour zhvendoset brenda muzeut / vizitorët mund të marrin një pije, snacks dhe më pas të eksplorojnë ekspozitat në një atmosferë më informale.

Ideja ndryshon mënyrën se si mendojmë për muzeun. Në vend që të konkurrojë vetëm me galeritë dhe institucionet e tjera kulturore, muzeu fillon të konkurrojë edhe me barin, restorantin apo vendin ku takohesh me miqtë pas pune. Arti bëhet pjesë e një mbrëmjeje sociale dhe jo domosdoshmërisht aktiviteti i vetëm i saj.

Kjo mund të tërheqë edhe publik që nuk do të planifikonte një vizitë tradicionale. Një drink pas pune kërkon më pak organizim sesa një “ditë muzeu”, ndërsa orari i zgjatur e bën kulturën më të aksesueshme për njerëzit që punojnë gjatë ditës.