
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Përmet, ku një 40-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetëhedhur nga kati i gjashtë i një pallati.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 17:00, në Lagjen e Re të qytetit.
Viktima është identifikuar me inicialet D. J. Nga të dhënat paraprake të autoriteteve, dyshohet se gruaja ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike në momentin e ngjarjes.
Si pasojë e rënies nga lartësia, 40-vjeçarja ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar dinamikën e saj.

